Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Basti strategjik i Iranit

Sikur Fabius Maksimus, George Washington dhe Aleksandri i Parë para tij, Irani nuk synon fitore përballë kundërshtarit të tij. Mbijetesa është e mjaftueshme

Këtë javë lufta në Iran mbushi një muaj. Ky muaji na ndihmoi të kuptojmë më mirë strategjinë, qëllimet dhe metodat e Iranit në ballafaqimin me SHBA-në dhe Izraelin. Synimi strategjik i Iranit është ajo që Clausewitz do ta kishte quajtur “Ermattungsstrategie”. Ndonëse Clausewitz asnjëherë nuk përdori këtë term në thelb ai insistonte se në rast të përballjes së një fuqie më të vogël me një fuqi më të madhe, atëherë mbrojtja është mënyrë më e mirë për të luftuar pasi që i lejon fuqisë më të vogël ushtarake që të lodhë dhe të gjunjëzojë fuqinë më të madhe ushtarake. Thënë ndryshe synimi strategjik iranian nuk është triumf spektakolar, por molisje e ngadaltë e kundërshtarit. Thënë ndryshe synimi i Iranit nuk është fitore, por mbijetesë deri në momentin e kolapsit të vullnetit politik të kundërshtarit.

Ky synim strategjik iranian nuk është risi. Kjo është se si Fabius Maksimus luftoi kundër Hanibalit të Kartagjenës, George Washington kundër britanikëve dhe Aleksandri i Parë kundër Napoleonit. Në ditët e sotme strategjia moderne iraniane është e ngritur mbi tri shtylla kryesore. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Së pari në kuptimin ushtarak Irani ka qenë duke u përgatitur për këtë moment gjatë tërë gjysmëshekullit të fundit. Pozita ku Irani gjen sot veten nuk është situatë e re. Irani ka qenë në pozitë të këtillë edhe më herët. Në fakt ka qenë në pozitat edhe më të vështira. I gjithë mendimi modern strategjik ushtarak iranian ka zanafillën e vet te lufta në mes Irakut dhe Iranit. Në kujtesën kolektive iraniane ajo kurrë nuk ka qenë luftë në mes dy vendeve, por luftë e gjithë botës kundër Iranit. Ajo ishte rast i rrallë gjatë Luftës së Ftohtë kur dy superfuqi kundërshtare (SHBA dhe Bashkimi Sovjetik) u bashkuan kundër një vendi të vetëm - Iranit. Gjatë luftës më të gjatë të shekullit XX Irani formësoi strategjinë e vet të luftimit asimetrik. Në thelb ajo nënkuptoi krijimin e industrisë masive të artilerisë, ndërtimin e programit bërthamor, krijimin e thellësisë strategjike përmes ngritjes së rrjetit të forcave joshtetërore në rajon dhe krijimi i një sistemi autonom dhe decentralizuar ushtarak. Rëndësinë e kësaj të fundit e shohim sot me aksionet izraelite për eliminimin e udhëheqjes politike dhe ushtarake iraniane. Përkundër eliminimeve të suksesshme izraelite të udhëheqjes iraniane, ushtria iraniane ka ruajtur unitetin, koherencën dhe efektivitetin e saj operacional. Në fakt ironikisht fushata izraelite për eliminimin e udhëheqjes politike dhe ushtarake iraniane ka arritur efekt të kundërt. Pasues të udhëheqjes së eliminuar kanë tendencë të jenë edhe më radikalë se paraardhësit e tyre. Kësisoj tani Izraeli rrezikon që të krijojë një brez të ri të udhëheqjes iraniane e cila jo vetëm se është më agresive, por e cila tani do ta bindë veten se është edhe shumë e aftë. Aq e aftë saqë edhe t’i rezistojë suksesshëm një pushtimi amerikano-izraelit – mendim ky që paraardhësit e tyre më të urtë refuzonin ta konsideronin seriozisht. 

Së dyti Irani nuk po lufton vetëm me raketa; ai po zhvillon edhe një luftë kundër ekonomisë amerikane. Pas vitesh të tëra sanksionesh nga SHBA-ja, Teherani ka humbur inventiven të ruajë një sistem ekonomik global nga i cili nuk ka pasur asnjë avantazh. Ky përjashtim nga ekonomia globale i ka dhënë jetë strategjisë iraniane “all in”. Duke goditur epiqendrën ekonomike të Gjirit – portet industriale, infrastrukturën energjetike dhe Ngushticën jetësore të Hormuzit - Irani po e mban peng sistemin e petrodollarit dhe me të gjithë ekonominë globale. Rrjedhimisht, Teherani nuk ka nevojë të fitojë asnjë betejë ushtarake, ai vetëm duhet ta bëjë koston e mbrojtjes së Gjirit të papërballueshme për SHBA-në. 

Shtylla e tretë e strategjisë iraniane është zvogëlimi e prezencës afatgjate amerikane në rajon. Që nga lufta irako-iraniane SHBA-ja ka transformuar bazat e përkohshme ushtarake amerikane në prezencë të përhershme në Gjirin. Dhe përderisa prezenca e tyre është portretizuar si ombrellë sigurie për Gjirin, e vetmja gjë që iranianët kanë parë është se tytat e këtyre bazave janë kthyer nga Irani. Duke shfrytëzuar hendekun gjithnjë e në rritje midis retorikës amerikane dhe angazhimeve të saj aktuale mbrojtëse - konkretisht prioritizimin e Izraelit mbi partnerët e Gjirit - Teherani ka mbjellë me sukses dyshime të thella në rajon. Kjo “krizë besimi” i shërben qëllimit përfundimtar të Iranit: neutralizimin e themeleve logjistike dhe politike të fuqisë së SHBA-së në Lindjen e Mesme. Nëse shtetet e Gjirit nuk i shohin më bazat amerikane si një garanci sigurie, por si një magnet për hakmarrjen iraniane, e gjithë strategjia rajonale amerikane shembet. Irani nuk ka nevojë që shtetet e Gjirit ta pëlqejnë Republikën Islamike; ai vetëm ka nevojë që ato të dyshojnë në Washingtonin. Duke e kthyer praninë ushtarake amerikane në një barrë dhe jo në një aset, Teherani po detyron një brez udhëheqësish arabë të pyesin veten nëse çmimi i aleancës amerikane është bërë më në fund shumë i lartë për t'u paguar.

Kemi filluar me Clausewitz, le të përfundojmë me të. “Lufta është provincë e rastësisë... Ajo rrit të panjohurën e çdo rrethane dhe krijon kursin e vet të ngjarjeve”, ka thënë Clausewitz para gati dyqind vjetësh. Me pushtimin e Iranit Trump ka vënë në lëvizje kursin e historisë i cili ironikisht mund të përfundojë në favor të Iranit. Ajo çfarë është dashur të jetë “Blitzkrieg” Trumpian po shndërrohet në Irakun e ri amerikan. Ajo çfarë është dashur të sjellë regjim më liberal në Teheran po shndërrohet në regjim shumë më radikal. Ajo çfarë është dashur t’i japë kontroll Trumpit mbi burimet iraniane po shndërrohet në krizë globale ekonomike. Ajo çfarë është dashur të qetësojë dhe të stabilizojë rajonin po e destabilizon atë. Thënë ndryshe ajo çfarë Trump konsideronte avantazh të vet strategjik është kthyer në avantazh strategjik iranian.