Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Anatomia e një proteste të suksesshme (2)

Qëllimi i dy kolumneve të fundit nuk ka qenë që të zbulojmë një recetë sekrete për suksesin e protestave. Nuk ekziston një gjë e tillë. Protestat nuk janë programe dhe algoritme kompjuterike të cilat mund të dizajnohen. Sikur luftërat, ato krijojnë jetën dhe dinamikën e tyre të pavarur – dhe shpesh të paparashikueshme. Sidoqoftë, historia e protestave na ka mësuar se çdo gjë fillon me atë hapin e parë të mbledhjes së disa qytetarëve kurajozë për të protestuar kundër regjimit. Thënë ndryshe sheshi nuk është fundi, por vetëm fillimi

Duke parë protestat e fundit në Beograd dhe Tiranë, në kolumnen e kaluar kam tentuar të kuptoj se cilët janë faktorët, të cilët duhet të ekzistojnë brenda një ekosistemi kulturor, politik e social, e që u japin jetë protestave të suksesshme. Thënë ndryshe, kush është anatomia e një proteste të suksesshme. Dy faktorë të parë janë që protesta të ketë mbështetje masive qytetare, pra të ekzistojë një masë kritike shoqërore që kërkon ndryshimin, dhe dy, që protesta të jetë paqësore dhe me kërkesa specifike dhe të matshme. Dhe përderisa këto dy gjëra janë të rëndësishme, ato janë të pamjaftueshme për suksesin e plotë të një proteste. Për suksesin e plotë duhet të kesh edhe dy gjëra të tjera.

Pra, të mbledhësh 1 milion qytetarë në rrugë me kërkesa specifike dhe unifikuese është e domosdoshme, por nuk është e mjaftueshme. Tani të nevojitet një mekanizëm politik dhe institucional, i cili do të transformojë vullnetin e sheshit në reformë të qëndrueshme institucionale. Thënë ndryshe, protesta ka nevojë për burokratë të mërzitshëm, të cilët do të shpenzojnë orët dhe ditët e tëra për të hetuar keqpërdorimet e pushtetit, për të hartuar ligje të reja dhe për të sjellë në jetë kërkesat e protestuesve. Ndonëse kjo është punë e mërzitshme dhe burokratike që bëhet larg reflektorëve të kamerave dhe vëmendjes publike, ajo është element i pazëvendësueshëm në suksesin e protestave. 
Sot në Beograd kërcënim më i madh i Vuçiqit nuk janë protestuesit, por një burokrat monoton – z. Mladen Nenadiq – kryeprokuror për krimin e organizuar, i cili është duke hetuar pikërisht keqpërdorimet e Vuçiqit, për të cilat shesheve të Serbisë mblidhen dhjetëra mijëra qytetarë. Po kështu sot lufta më e madhe politike e Vuçiqit nuk është të mbajë apo mos të mbajë zgjedhje, por të parandalojë një reformë krejtësisht burokratike, siç është pavarësimi i rregullatorit të mediave – përsëri kërkesë specifike e protestuesve. 

Dhe po kështu, sot në Tiranë beteja kryesore e Ramës nuk zhvillohet në sheshet e Tiranës, por në zyrat monotone burokratike të Tiranës dhe Brukselit për të manipuluar ndryshimet në ligjet për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike. Thënë ndryshe, përderisa protestat masive dhe kërkesat specifike krijojnë mjedis të favorshëm për ndryshimin, vetëm puna e mërzitshme burokratike dhe institucionale krijon ndryshimin afatgjatë demokratik.

Por nganjëherë mund t’i kesh të gjitha këto dhe prapë të mos kesh sukses. Mund të kesh protestat masive, mund të kesh kërkesa specifike dhe mund të kesh instrumente për të kthyer kërkesat e protestuesve në reforma institucionale – dhe prapë të mos kesh sukses. Dhe kjo më sjell te faktori i katërt, i fundit dhe më i rëndësishmi në anatominë e një proteste të suksesshme. Ajo është përçarja e elitës. Regjimet akumulojnë pushtet dhe mbijetojnë, sepse ato qëndrojnë në majën e një piramide të elitave shoqërore - interesat e të cilëve përputhen me pushtetin e regjimit. Ata mund të jenë interesat partiakë, të karrierës, politikë, financiarë, etj. Momentin kur këto elita kuptojnë që regjimi nuk është më përfaqësues apo instrument legjitim i interesave të tyre atëherë e gjithë piramida mbi të cilën regjimi ka qëndruar kolapson. Thënë ndryshe, regjimet bien kur elitat nuk i mbrojnë më. Ai moment kur policët refuzojnë urdhrin, kur gjyqtarët refuzojnë të jenë noterë partiakë, kur mediat refuzojnë diktatin politik dhe kur biznesmenët tërheqin paratë e tyre. Në Egjipt gjatë pranverës arabe nuk është përçarë elita, ajo vetëm ka vendosur të ndryshojë agjentin e tyre. Në Ukrainë gjatë Euromaidanit elita është dashur të marrë vendim bardhë apo zi – me Evropën apo me Rusinë – kjo zgjedhje bardhë e zi ka përçarë elitën, ka shembur regjimin dhe ka krijuar një hapësirë të re politike për të krijuar një rend të ri ukrainas. Në Turqi gjatë protestave për parkun Gezi, ndonëse ka pasur masivitet të qytetarëve dhe ndonëse protestuesit kanë pasur kërkesa specifike, protesta nuk ka arritur të përçajë elitën turke. Këtu në rajonin tonë merrni shembull protestat e vitit 2000 në Serbi dhe protestat e sotme. Ndonëse masiviteti është i ngjashëm, protestat nuk po arrijnë rezultate të njëjta. Arsyeja është përçarja e elitës. Në vitin 2000, Millosheviqi nuk u rrëzua nga qindra mijëra protestues nëpër sheshe të Serbisë, por u rrëzua nga dhjetëra oficerë sigurie të cilët refuzuan të mbrojnë më regjimin e tij. Për të shkuar edhe më tutje ai nuk u rrëzua nga dhjetëra oficerë sigurie, por nga një person i vetëm – Presidenti Putin i cili në ditën kur protestuesit ishin duke djegur parlamentin serb e dërgoi ministrin e tij të jashtëm, z. Igor Ivanov, në Beograd për t’i komunikuar Millosheviqit se loja ka mbaruar për të. Sot ndryshe nga atëherë elita serbe, dhe mjedisi gjeopolitik, vazhdon të jetë lojal ndaj Vuçiqit. Por pyetja patjetër ngelet - edhe për sa kohë?

Qëllimi i dy kolumneve të fundit nuk ka qenë që të zbulojmë një recetë sekrete për rrëzimin e regjimeve. Nuk ekziston një gjë e tillë. Protestat nuk janë programe dhe algoritme kompjuterike të cilat mund të dizajnohen. Sikur luftërat, ato krijojnë jetën dhe dinamikën e tyre të pavarur – dhe shpesh të paparashikueshme. Sidoqoftë, historia e protestave na ka mësuar se ekzistojnë disa faktorë që krijojnë ekosistem të favorshëm për suksesin e një proteste. Ai kërkon masivitetin e qytetarëve, kërkesa specifike, ndryshimin institucional dhe përçarjen e elitave. Diku protesta do të arrijë qëllimet e veta me përmbushjen e të gjithë katër faktorëve, e diku me vetëm disa, por gjëja më e rëndësishme që historia na mëson është se çdo gjë fillon me atë hapin e parë të mbledhjes së disa qytetarëve kurajozë për të protestuar kundër regjimit. Thënë ndryshe sheshi nuk është fundi, por vetëm fillimi.