Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Anatomia e një gënjeshtre

Si po i përngjan Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës Facebook-ut? (Pjesa e parë e vërejtjeve ndaj librit të Arsim Bajramit “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”)

1.

Kjo që do të lexoni më poshtë është një e pavërtetë. Ky është emri gjenerik për gënjeshtër. Në Kosovë quhet edhe rrenë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rrena është formuluar kështu:

Libri “Lindja e një demokracie” me parathënie të shkruar nga Bernard Kushner, tregon shumë detaje nga shkrimtari i famshëm francez, Jacques Baudouin. Ai kishte mbajtur edhe pozitën si këshilltar i ministrit të Jashtëm francez z. Bernard Kushner. Ai kishte treguar për unitetin, problemet brenda delegacionit të Rambujesë e mendimet pro at kontra. Në një kapitull shkrimtari francez, i cili ishte edhe këshilltar i Bernard Kushner, tregon për lojën e Veton Surroit për ta pranuar autonominë në kuadër të Jugosllavisë në Konferencën e Rambujesë. Këtë gjë e kishte hetuar dhe parandaluar Hashim Thaçi si kreu i delegacionit në Rambuje. Në kapitullin “Loja e Veton Surroit”, ai tregon: “Konferenca ishte në orët e saj të fundit. Secili delegacion duhej t’i përgjigjej letrës së marrëveshjes së propozuar nga Grupi i Kontaktit. Në pritje, Hashim Thaçi doli të bënte disa hapa në korridor, dhe pak më pas pati befasinë që të shihte Christofer Hillin dhe Wolfgang Petrischin duke iu afruar për ta përgëzuar për pranimin e marrëveshjes së tillë siç e kishin propozuar në letrën e tyre. Veton Surroi, sapo e kishte marrë, treguan ata, dhe ishte duke e përkthyer. Kjo do ta bënte ende më të lehtë miratimin nga ana e palës serbe, shtuan ata. I shastisur, Hashim Thaçi hyri në sallë dhe zbuloi atëherë tekstin e letrës së përbashkët për të dyja palët, që ai duhej t’ia përcillte Grupit të Kontaktit. “Palët kanë pranuar sot marrëveshjen bazë dhe kapitujt politikë për paqen dhe qeverisjen autonome të Kosovës. Ato pranojnë një trupë civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, siç është rënë dakord në Rambuje, trupë e cila do të jetë e ngarkuar me zbatimin dhe respektimin e marrëveshjes së përkohshme”. Ky tekst nuk e përmendte askund shndërrimin e UÇK-së apo referendumin për pavarësi: shefi i palës kosovare (Hashim Thaçi) nuk pranoi të nënshkruante dhe deshi të dinte se kush e kishte dhënë pëlqimin e delegacionit pa folur me të. Veton Surroi ndenji i heshtur dhe s’mundi të jepte asnjë shpjegim. Të gjithë e dinin se ai kishte deklaruar se ishte i kënaqur me autonominë dhe e kuptuan se kishte luajtur prapa shpinës së delegacionit. Dhe kur Madeleine Albright hyri në sallë për të marrë letrën e marrëveshjes që të shkonte t’ia çonte palës serbe, Thaçi e njoftoi se, pa përmendjen e referendumit, delegacioni i tij s’mund ta firmoste këtë tekst.”

2.

E vetmja gjë e vërtetë në këtë citat është se këtë libër e ka shkruar një person i quajtur Jacques Baudouin. Titulli i librit është më i gjatë se ç’citohet. Pra nuk është vetëm “Lindja e një demokracie”, por “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë”, që do të thotë se është shkruar për Thaçin. 

Citati nga ky libër është përsëritur fillimisht nga portale të afërta me z. Thaçi rrethin e tij politik e pastaj ka depërtuar nëpër rrjete sociale. Përsëritet ditë për ditë dhe kurdo ka ndonjë fërkim politik do të paraqitet lista e ushtarëve të Facebookut të cilët do të përsërisin, jo pa të shara dhe jo me ndonjë nivel më të sofistikuar gjuhësor se kaq, që në Rambouillet kam dashur disi fshehurazi ta fus në autonomi brenda Jugosllavisë, por kjo është penguar me aksionin e vendosur të Hashim Thaçit.

Kam konsideruar për një kohë të gjatë se kjo është vetëm një thashethemnajë e medieve sociale, aso që gatuhen në një kuzhinë politike dhe pastaj hidhen e stërpërsëriten me algoritmin e urrejtjes e gjysmë të vërtetës, por u befasova kur këtë citat e gjeta në librin e botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me autor anëtarin e kësaj akademie Arsim Bajramin e me titull “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”.

3.

Libri i z. Bajramit ka mundur të dalë i mirë po qe se autori, mes tjerash, do të arrinte të përkufizohej brenda titullit të librit, t’u mbetej besnik gjërave që i ka parë si pjesëmarrës i herëpashershëm i punimeve në Kështjellën, të ishte më metodik në shfrytëzimin e burimeve e bibliografisë e të kishte disiplinë shkrimi. Libri ka mundur të dalë i mirë edhe po të kishin përmbushur detyrën e tyre profesionale dy recensentët e librit, akademikët Jusuf Bajraktari e Muhamedin Kullashi dhe redaktorja, akademikja Gjylieta Mushkolaj, edhe vetë pjesëmarrëse në Rambouillet në cilësinë e përkthyeses.
Libri i z. Bajrami megjithatë, nuk u ka bërë ballë shumë sfidave, duke filluar nga dështimi në të rezistuarit që të merret me gjithçka- që të jetë edhe libër përshkrimi gjysmëhistorik, përsiatje, analize juridike, citate të mendime të vetvetes nga punime të ndryshme, thurje lavdesh liderit a liderëve e deri te shpjegimi i pranisë së vet në Kështjellë. 
Që në fillim autori paralajmëron se do të shfrytëzojë mekanizma e metodologji të ndryshme, burime e bibliografi ekstensive, madje edhe Inteligjencën artificiale. Me gjasë këtë të fundit e ka përdorur kur, për shembull, pasi na përshkruan Blerim Shalën dhe mua me vlerësim pozitiv (“ata së bashku kontribuuan për unitet dhe konsensus për pranimin e marrëveshjes”) thotë se kemi shkruar shumë libra e artikuj, ndër të cilin më i njohuri imi është “Dëshmia e një Kosove”, ndërsa i Blerimit “Rambujeja: dokumenta”. 

Këto libra nuk ekzistojnë, nuk janë shkruar prej nesh.

4.

Me pak kujdes e vëmendje autori i librit ka mundur të gjejë librin e vërtetë të Blerim Shalës për Rambouillet me titullin “Vitet e Kosovës”, botuar fillimisht nga “Zëri” e më pastaj “KOHA”. Në të , në vend të rrenës së Jacques Baudouin ka mundur të gjejë këtë përshkrim të ngjarjes së njëjtë: 

“Ne kishim para vetes vetëm edhe një orë, sepse përgjigja definitive jonë duhej të artikulohej më së voni deri në ora 15.00. Delegacioni amerikan, me në krye Nr.1 të State Departmentit, zonjën Madeleine Albright, i cili përfaqësonte shtetin më të fuqishëm të botës, tani ishte më i pafuqishëm se kurrë, sepse ne vetë akoma qëndronim në pozicionin e refuzimit të ofertës së Grupit të Kontaktit e cila, me autorësinë e ashiqare amerikane, siguronte dhe garantonte një mbështetje bilaterale të Washingtonit për Prishtinën. “Kurrë nuk do t’ju lëmë vetëm, gjithmonë do të jemi me ju”, përsëritnin zonja Albright dhe ambasadori Hill.

Dora e zgjatur e Amerikës tutje mbetej në ajër, pa kundërpërgjigjen tonë. Profesor Agani pothuaj çdo minutë i binte kokës me dorë dhe pyeste me zë: “A jemi ne normale… Si është e mundur që nuk po dimë të dallojmë të zezën prej të bardhës…”, i tërë aktiviteti i Konferencës tani ishte reduktuar në pritjen e vendimit të delegacionit të Kosovës. Delegacioni serb zvarriste bisedimet me juristët amerikanë dhe të gjitha informatat që na vinin nga diplomatët perëndimorë dëftonin se tek ata vërehej një relaksim, sepse ishin të bindur që ne assesi nuk do të pranonim marrëveshjen. Për më tepër, edhe për këtë shkak, ata në versionin e parë të Rambouillet-it na kishin lëshuar pothuaj të gjithëve, prandaj në rast, kur dukej që i tërë mundi ynë po fundosej për shkak të një kokëfortësie irracionale dhe moskuptimit të situatës, iu drejtova Vetonit (Surroit), të cilin e kisha afër, në të djathtë, me këto fjalë: “Unë e di që duhet ta nënshkruajmë, të tjerët le të shkojnë në të sëmës…”. Natyrisht, një reagim i tillë ishte krejtësisht i gabuar.

Kur ambasadori Hill hyri në sallë për të marrë përgjigjen tonë definitive, na gjeti në rrëmujë të plotë dhe po të na pyeste secilin prej nesh, ndaras, se çka kishim bërë apo cili ishte përfundimi ynë përballë ofertës së Grupit të Kontaktit, do të merrte 16 përgjigje të veçanta, aq sa anëtarë ishte delegacioni i Kosovës.

Pra, kur Hilli u ul në krye të vendit, askush prej nesh nuk dinte me çka të dilnim përballë tij. As ambasadori Hill më nuk dinte se si duhej të sillej me ne dhe ç’duhej të na thoshte. Të dy palëve na ishin shterur fjalët dhe argumentet.

Ne ishim buzë humnerës dhe akoma hamendësohim a ta pranonim dorën e shpëtimit të ofruar prej Amerikës! Marrëveshja e Rambouilletit, me gjithë të metat e shumta dhe kompromiset e dhimbshme të cilat ne u desh t’i gëlltitnim, ishte një shans i mirë

Megjithatë, ne ishim ngurosur në pozicionin i cili s’mund të përshkruhej dot ndryshe veçse si refuzim i vullnetshëm i ofertës për të ndryshuar rrënjësisht fatin tonë. Tani, ne si delegacion gjendeshim midis Marrëveshjes dhe popullit të Kosovës. Ne tashti nuk ishim më urë që lidh botën, Perëndimin, SHBA-të para së gjithash me Kosovën, por u bëmë mur që e ndan Amerikën prej Kosovës.

Hilli dëshpërueshëm kërkonte shtegdalje nga kjo gjendje dhe në një çast e pyeti Vetonin (Surroi) se a kishte diç për të thënë. Dhe Vetoni nisi të nxirrte aty për aty konkludimet e diskutimit tonë maratonik dhe të papërfunduar të dy ditëve të mbrama. Kështu, doli që shumica absolute e delegacionit përkrahte Marrëveshjen, që të gjithë ne tumirnim propozimin që Marrëveshja duhet të dërgohet prapa në Kosovë, tek qytetarët dhe populli i saj, që ajo të mund të nënshkruhej në vazhdimin e Konferencës së Rambouilletit, që mbështetnim idenë e transformimit të UÇK-së… Hilli duket që në këtë raport të Vetonit gjeti shpëtimin”

(Nesër: A vlen fjala e Madeleine Albright?)