Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

A janë 16 vjet boll për Viktor Orbanin?

Kryeministri hungarez po lufton për mandatin e radhës. Kësaj here me një fushatë elektorale antiukrainase dhe anti-Bruksel

1.

Vende të tjera, tabiate të tjera. Në aeroportin e Budapestit, i cili bart emrin e kompozitorit të famshëm, Franz Liszt, udhëtarët nuk priten përherë me muzikë klasike apo popmuzikë. Të enjten pasdite një doganier me një qen nuhatës çapurishte valixhet e udhëtarëve, ndërsa nja 10 doganierë të tjerë shikonin duarkryq. Pastaj udhëtarët duhej të vendosnin çantat e tyre në linjën për skanim, me gjasë një kontroll rutinë. Hungaria ka hyrë në Zonën e Schengenit që në vitin 2007, por për shkak se vendi gjendet para zgjedhjeve dhe kryeministri Viktor Orban është në panik se mund të humbë pushtetin, autoritetet po kryejnë sërish kohë pas kohe kontrolle të rrepta dhe të rastësishme në kufijtë tokësorë me shtetet fqinje, si Austria, Sllovakia apo Sllovenia. Kjo rastësi duket se bën vaki edhe në aeroportin e Budapestit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

2.

Përgjatë rrugës nga aeroporti në qendër të qytetit bien në sy posterë ku shihet një figurë e njohur: presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski. Nuk jemi në Ukrainë, jemi në Hungari, por Orban, një populist i rryer dhe i stërvitur në pushtet, ka vendosur ta (keq)përdorë portretin e Zelenskit për të mobilizuar klientelën e tij elektorale. Nuk është Vladimir Putini, agresori ndaj Ukrainës, armiku i Hungarisë dhe Evropës, sipas Orbanit, armiku është Zelenski. Mesazhi në poster është ky: «Mos e lejoni Zelenskin të qeshë në fund!» («Ne hagyjuk, hogy Zelenszkij nevessen a végén!»). Në pjesën e sipërme të posterit kjo porosi: «Nemzeti Petíció» (Peticioni Kombëtar). Para zgjedhjeve të 12 prillit hungarezeve dhe hungarezëve u bëhet thirrje të nënshkruajnë një peticion kundër mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën. Përmes kësaj fushate, qeveria hungareze po përçon mesazhin se mbështetja për Ukrainën (përmes dërgimit të armëve apo përpjekjeve për anëtarësim në BE) do ta dëmtonte Hungarinë ose do ta tërhiqte atë në luftë.

3.

Posteri tjetër alarmon duke shfaqur tri figura politike që qeveria i paraqet si kërcënim për interesat e Hungarisë. I pari është - sërish - presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski. Në mes qëndron Peter Magyar, lideri i partisë «Tisza» dhe sfiduesi më i madh i qeverisë aktualisht, i cili portretizohet si një vegël e fuqive të huaja. Figura e tretë është Ursula von der Leyen, që përfaqëson «Brukselin» dhe politikat e Bashkimit Evropian, që qeveria hungareze i cilëson si ndërhyrje në sovranitetin e saj. Në anën e majtë të posterit gjendet mesazhi «Ők a kockázat», që do të thotë se ata janë rreziku, ndërsa në anën e djathtë, me ngjyrat e flamurit kombëtar, reklamohet «Fidesz» si zgjedhja e vetme e sigurt për Hungarinë. Paniku në kampin e Orbanit duhet të jetë vërtet i madh kur përdor këso mjetesh të pacipa. Sipas disa anketave opozita është në epërsi.

4.

Viktor Orban është në pushtet prej 16 vjetësh, nëse llogarisim mandatin e tij aktual të pandërprerë. Karriera e tij si kreu i qeverisë ndahet në dy faza kryesore. Mandati i tij i parë zgjati nga viti 1998 deri në vitin 2002, ndërsa faza e tij e dytë dhe aktuale nisi më 2010 dhe vazhdon deri më sot. Nëse ai fiton zgjedhjet e 12 prillit, do të hynte në mandatin e tij të gjashtë si kryeministër. Nga një politikan liberal, Orban është shndërruar në një lider me prirje autokratike, duke futur nën kontroll shumicën e institucioneve, të mediave dhe disa degëve të rëndësishme të ekonomisë. Veçanërisht ai shquhet si kritik ndaj pranimit të refugjatëve nga BE dhe atakon në radhë të parë Gjermaninë, të cilën e quan tepër tolerante ndaj të huajve. Pjesë e së vërtetës është se më 2015, kur përmes Ballkanit qindra mijëra refugjatë sirianë e afganë përfunduan në Budapest, ishte qeveria e Angela Merkelit që e shpëtoi Hungarinë nga një krizë e rëndë duke strehuar refugjatët. Për shkak të kursit të tij të ashpër kundër refugjatëve, Orban është bërë idol i së djathtës ekstreme evropiane dhe i qeverisë aktuale amerikane. Pas fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në München në shkurt, ministri i Jashtëm amerikan, Marco Rubio, zgjodhi të vizitojë dy vende: Sllovakinë dhe Hungarinë, të dyja sabotuese të politikave të BE-së ndaj Ukrainës dhe të dyja me kryeministra që më me dëshirë shkojnë për vizitë në Kremlin sesa në Bruksel. Sidomos vizita e Rubios në Budapest u pa nga shumë komentatorë si ndihmë elektorale për Orbanin.

5.

Gjatë viteve të fundit politika e Viktor Orbanit ndaj Ballkanit është orientuar më shumë nga interesat e “botës serbe”. Me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, e lidh një miqësi e ngushtë autokratike, ish-liderin e serbëve të Bosnjës Millorad Dodik e mbështet në përpjekjet e tij për bllokadën politike në Bosnjë, ndërsa ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i bën konak që nga viti 2018 - atëbotë diplomatët e Orbanit në Ballkan organizuan arratisjen e Gruevskit përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Sistemi politik i Orbanit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strehë edhe për politikanët e krahut të djathtë polak, të cilët po ndiqen nga drejtësia në vendin e tyre. Rasti më i bujshëm është ai i ish-ministrit të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, dhe zëvendësit të tij Marcin Romanowski, të cilëve Hungaria u ka dhënë azil politik. Duke i mbrojtur nga akuzat për korrupsion dhe abuzim me fondet publike në Poloni, Budapesti po sfidon hapur qeverinë e Varshavës. Ky veprim ka krijuar një situatë absurde brenda BE-së, ku një shtet anëtar akuzon një tjetër për mungesë të shtetit ligjor, duke mbrojtur zyrtarë të lartë të kërkuar nga drejtësia.