Futboll

Zyrtarët e Baselit flasin pas fyerjeve të Xhakës ndaj Zurichut

Taulant Xhaka

Festa e Baselit pas titullit të fituar ditë më parë u kthye në skandal, ka shkruar mediumi zviceran “20minuten”. I përfshirë ishte mesfushori Taulant Xhaka.

Xhaka kishte bërë thirrje për “vdekje dhe urrejtje ndaj Zurichut dhe Grasshopperit”, ndërsa është përcjellë nga të pranishmit.

Xhaka për këto veprime është dënuar me një ndeshje suspendim, gjobë prej 7500 frangave zvicerane si dhe me 18 orë punë “në shërbim të komunitetit për të mirën e futbollit”.

Baseli kërkoi falje zyrtarisht për këtë ngjarje, kurse Xhaka kërkoi falje në llogarinë e tij në Instagram.

Festa zyrtare e Baselit do të jetë të shtunën, kur Taulant Xhaka do të luajë ndeshjen e fundit. Baseli luan me Luzernin. Do të jetë ndeshje përshëndetëse për ikonën e Baselit, Xhakën. Ai do t’i japë fund karrierës.

Kryetari i Baselit, David Degen, dhe drejtori sportiv, Daniel Stucki, kanë folur për incidentin ku ishte i përfshirë Xhaka.

“Unë mendoj se ai i ka dy anë si person. Xhaka është model absolut. Jam i lumtur që do t’i japim përshëndetjen që ai e ka dashur. Por ana tjetër është si ajo e festës së kampionatit, për shembull. Ato nuk janë vlerat tona. E kemi diskutuar me të dhe ai e di. Shpresojmë se nuk do të ndodh sërish”, ka deklaruar Stucki.

Kryetari i klubit Degen është pajtuar me drejtorin sportiv.

“Natyrisht, ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Baselin. Një falënderim i madh për të nga perspektiva e klubit”, ka deklaruar Degen.

Për Xhakën ka folur edhe trajneri Fabio Celestini.

“Xhaka padyshim se do të jetë i pranishëm. Do të jetë loja e tij e fundit dhe natyrisht se do të jetë aty”, është shprehur Celestini.