Futboll

Xhaka nënshkruan për tre vjet me Sunderlandin, ndihet krenar

Granit Xhaka edhe zyrtarisht lojtar i Sunderlandit

Granit Xhaka edhe zyrtarisht lojtar i Sunderlandit

Granit Xhaka është sërish pjesë e ligës më të fortë të futbollit në botë – Premier Leagues. Mesfushori 32-vjeçar të mërkurën është transferuar nga Bayer Leverkuseni te Sunderlandi, skuadra e kthyer në elitën angleze.

Kapiteni i Zvicrës ka firmosur për tri vjet me Sunderlandin. Është raportuar që transferimi ka kushtuar rreth 20 milionë euro.

Xhaka u largua pas dy vjetësh nga Bayer Leverkuseni. Periudha në Gjermani ishte shumë e suksesshme për të. Në vitin e parë fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë. Madje Leverkuseni e përfundoi kampionatin pa humbje të pësuar. Pos kësaj arriti edhe në finale të Ligës së Evropës. Në vitin e dytë Xhaka me Bayer Leverkusenin doli nënkampion i Gjermanisë.

Por pas largimeve të shumta nga skuadra, duke përfshirë atë të trajnerit Xabi Alonso, kosovari ka kërkuar sfidë të re. Dhe ka vendosur për skuadrën e kthyer në Premier League dhe që do të luftojë për mbetje në këtë ligë.

Ai e njeh shumë mirë kampionatin anglez. Ishte tek Arsenali nga viti 2016 deri në vitin 2023. Për Arsenalin i luajti 225 ndeshje në Premier League, ndërsa e fitoi Kupën FA dy herë. Ishte edhe kapiten i “topçinjve”.

Para Arsenalit luajti për Borussia Monchengladbachun dhe Baselin.

Te Zvicra është kapiten nga viti 2020 dhe i ka plot 137 paraqitje. Xhaka vlerësohet njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptarë në histori.

Ai ka pasur oferta edhe nga Turqia e Arabia Saudite. Është përfolur edhe një kalim te Milani në Serie A, por vendosi për ligën më të mirë në botë.

Mesfushori luftarak është optimist për të ardhmen te Sunderlandi. Është po ashtu krenar.

“Jam shumë krenar që jam këtu. Kur kam folur me klubin jam entuziazmuar dhe kam ndier energjinë dhe mentalitetin që të gjithë njerëzit këtu dhe lojtarët kanë. Është saktësisht ajo që kam dashur dhe kam ndjenja shumë të mira. Jemi kthyer aty ku ky klub duhet të jetë. Duam të qëndrojmë këtu dhe të shkruajmë historinë tonë. Ndiej se jam gati për ta ndihmuar ekipin me përvojën, por edhe me kualitetin po ashtu. Duhet të gjejmë veten tonë në fushë, por nuk mendoj se kjo do të jetë problem i madh. Ishte kohë e gjatë për të pritur, por jam këtu dhe mezi pres të fillojmë”, ka thënë Xhaka për sajtin zyrtar të Sunderlandit.

Ai do ta mbajë fanellën me numër 34 te Sundelandi. Pritet të jetë lider i kësaj skuadre.

“Jemi të lumtur ta mirëpresim Granitin dhe familjen e tij në Sunderland. Ardhja e tij është një shtytje e rëndësishme e ambicies sonë dhe dëshirës sonë për të ndërtuar një ekip me të cilin tifozët tanë mund të jenë krenarë në Premier League. Arritjet dhe cilësia e tij nuk kanë nevojë për prezantim. Ai është lojtar i kalibrit më të lartë brenda dhe jashtë fushës. Ajo profili perfekt i lojtarit që kemi kërkuar për ekipin tonë. Mezi presim ta ndihmojmë të vendoset në Wearside dhe jemi të entuziazmuar të shohim ndikimin që do të ketë në fushë dhe në dhomën e zhveshjes së skuadrës”, ka thënë Kristjaan Speakman, drejtor sportiv i Sunderlandit.

Te Bayer Leverkuseni e kanë falënderuar dhe i kanë dëshiruar sukses Xhakës në klubin e ri. Kanë theksuar se Sunderlandi ka bërë ofertën që e kanë kërkuar.

“Granit Xhaka ishte lojtar kyç në ekipin e Leverkusenit që fitoi kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë në vitin 2024”, ka thënë drejtori sportiv i Bayer 04, Simon Rolfes. “Pranimi i kërkesës së tij urgjente për transferim është i përshtatshëm për Bayer 04 sipas kushteve dhe rrethanave të negociuara dhe është zgjidhja më e mirë për të gjithë të përfshirët. I urojmë Granitit gjitha të mirat për pjesën tjetër të karrierës së tij”.

Sunderlandi është promovuar në Premier League përmes plejofit të Championshipit.  Së fundi kjo skuadër ishte në Premier League në edicionin 2016/17. Më pas luajti në kategorinë e dytë angleze e madje edhe në të tretën. Në kategorinë e tretë ishte katër vjet rresht. Pas tri vjetësh në Championship, kthehet në Premier League me synimin për të mbetur gjatë në elitë.  Te klubi anglez presin që Xhaka t’i udhëheqë në këtë mision.

 

VIDEO | Prezantimi: Ky nuk është vetëm klub, ky është Sunderland

Granit Xhaka ka dhënë deklaratën e parë pas kthimit te Sunderlandi në Premier League.

“Jam shumë krenar që jam këtu. Kur kam folur me klubin jam entuziazmuar dhe kam ndier energjinë dhe mentalitetin që të gjithë njerëzit këtu dhe lojtarët kanë. Është saktësisht ajo që kam dashur dhe kam ndjenja shumë të mira. Jemi kthyer aty ku ky klub duhet të jetë. Duam të qëndrojmë këtu dhe të shkruajmë historinë tonë. Ndiej se jam gati për ta ndihmuar ekipin me përvojën, por edhe me kualitetin po ashtu. Duhet të gjejmë veten tonë në fushë, por nuk mendoj se kjo do të jetë problem i madh. Ishte kohë e gjatë për të pritur, por jam këtu dhe mezi pres të fillojmë”, ka thënë Xhaka.

Ai ka firmosur për tri vjet me Sunderlandin, që kthehet në Premier League.

VIDEO: Intervista e Granit Xhakës 

Pse kalimi te Sunderlandi është sfida më e madhe në karrierën e Xhakës?

18 o. më parë / 30 kor 2025 14:10
Granit Xhaka

Granit Xhaka i ka kaluar të gjitha në futboll. Mbajti shiritin e kapitenit në derbitë e zhurmshëm të Londrës Veriore. E udhëhoqi Zvicrën në turnetë e Kupës së Botës. Dhe tani i është bashkuar Sunderlandit. Dhe e ka vlerësuar këtë sfidën më të madhe në karrierë.

Një lider i lindur, lojtar me personalitet dhe prani udhëheqëse brenda dhe jashtë fushës, Xhaka është përballur me të gjitha llojet e presionit gjatë karrierës së tij. Mesfushori e di se çka duhet për të fituar trofe.

Tani do të luajë për Sunderlandin që synim e ka stabilimin në Premier League, ku mungoi për tetë vjet.

“Është një lloj ndryshe i presionit”, ka thënë Xhaka për sajtin zyrtar të Sunderlandit. “Për mua, për klubin dhe bashkëlojtarët. Kam ndjenjë të mirë, po shoh se ku mund të bëjmë një ndryshim të madh dhe duam të jem pjesë e kësaj. Dua të shkruaj historinë tonë”.

32-vjeçari e njeh shumë mirë Premier Leaguen. I ka 225 paraqitje me Arsenalin në këtë ligë. Ka edhe shumë paraqitje në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës. Te Sunderlandi presin që ai të japë çdo gjë për suksesin e skuadrës. Këtë në fakt e ka bërë gjatë gjithë karrierës.

“Isha në Mbretëri të Bashkuar për shtat vjet dhe e njoh mentalitetin. E njoh ligën dhe ajo që mund të prisni nga unë është përvoja e shumëllojshme nga futbolli evropian. Në një ekip nevojitet një ekuilibër i mirë me lojtarë të rinj dhe lojtarë me përvojë. Ende nuk kam mbaruar, jam i uritur për të arritur shumë gjëra. Po ashtu kam një mentalitet të fortë, e di si të punoj ditë pas dite për të arritur qëllimet që kemi në klub. Gjithashtu të ndihmojmë njëri-tjetrin duke dhënë ndjesi të mirë me besim. Ky jam unë”, ka thënë kapiteni i Zvicrës.

Ai e di se synimet e Sunderlandit nuk janë të njëjta me ato që kishte tek Arsenali dhe Bayer Leverkuseni. Por e pranon sfidën dhe është gati t’i bëjë tifozët krenarë. Premier League nuk është e lehtë për një skuadër që mungoi tetë vjet në të.

Këtë e di edhe Xhaka.

“Kjo mund të jetë sfida më e madhe e karrierës sime deri më tani. Por e pranova dhe dua të tregoj këtë ditë për ditë dhe në fushë po ashtu. Jam i sigurt se kjo skuadër do të japë gjithçka në fushë. Nga fishkëllima e parë e deri në fund. Çfarëdo që të ndodhë, ne kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve. Por do të japim çdo gjë dhe shpresojmë se mund t’i arrijmë qëllimet tona”, ka theksuar Xhaka.

Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, pret shumë nga Xhaka.

“Ky transferim dëshmon se sa atraktiv është klubi ynë. Nëse një lojtar i këtij dimensioni i thotë po projektit tonë, kjo do të thotë diçka. Dua të uroj njerëzit prapa skenës për kompletim të lëvizjes. Është lëvizje e zhurmshme dhe ne duam të bëjmë zhurmë këtë edicion. Për skuadrën është shumë me rëndësi. Kemi filluar me rekrutimin e lojtarëve të rinj e të talentuar, por synimi i dytë është të balancojmë skuadrën me më shumë përvojë. Me atë që ka arritur në futboll, Graniti është shumë i mirë për këtë”, ka thënë tekniku francez.

Ai e ka të qartë se çka do të sjellë Xhaka në skuadër. Pos përvojës thotë se mesfushori ka edhe cilësi të nivelit të lartë.

“Ai sjell shumë gjëra për balancimin e ekipit. Ai është kapiten, lider, ka përvojë të rëndësishme në Premier League dhe në përfaqësuese. Prania e tij do të jetë shumë e rëndësishme për balancim të ekipit. Jemi shumë të lumtur. Ai është ende në majë me stilin specifik të lojtarëve. Është vërtet e rëndësishme të ndiejmë këtë në strukturën tonë, u jep besim të gjithëve për sukses në Premier League”.

Cana e Januzaj prej ish-lojtarëve të Sunderlandit

20 o. më parë / 30 kor 2025 12:19
Lorik Cana

Lorik Cana

Granit Xhaka nuk është lojtari i parë shqiptar që luan për Sunderlandin.

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, kishte luajtur për këtë skuadër në edicionin 2009/2010. Ishte transferuar nga Marseille për rreth 5 milionë funte. Kishte firmosur për katër vjet, ndërsa ishte bërë edhe kapiten i skuadrës. Cana e udhëhoqi skuadrën në 35 ndeshje në të gjitha garat. Sunderlandi kishte përfunduar në vendin e 13-të në Premier League.

Lorik Cana  kishte luajtur për këtë skuadër në edicionin 2009/2010

Menjëherë në verën e vitit 2010, Cana ishte transferuar te Galatasaray në Turqi për 4,5 milionë euro.

Adnan Januzaj po ashtu ishte te Sunderlandi. Luajti huazim nga Manchester Unitedi në edicionin 2016/17, që ishte i fundit i kësaj skuadre në Premier League. Në 25 paraqitje kampionale i kishte tri asistime. Në verën e vitit 2017 u transferua nga Unitedi te Real Sociedadi.

Adnan Januzaj ishte  huazuar nga Manchester Unitedi te Sunderland gjatë edicionit 2016/17

Leon Dajaku po ashtu veshi fanellën e Sunderlandit. Në gusht të vitit 2021, kur kjo skuadër ishte në kategorinë e tretë angleze, Dajaku u huazua nga Union Berlini. Në qershor të vitit 2022 kishte firmosur për dy vjet me Sunderlandin. Menjëherë në janar 2023 ishte huazuar te St. Galleni në Zvicër.

Edhe Leon Dajaku veshi fanellën e Sunderlandit

Në shtator të vitit 2020, me Sunderlandin kishte firmosur mbrojtësi Arbenit Xhemajli. Ai luajti pak, ndër të tjera për shkak të lëndimeve. Tani është tek Egnatia në Shqipëri.

Arbenit Xhemajli me fanellën e Sunderlandit

Leverkuseni thotë se transferimi i Xhakës është i mirë për të gjitha palët

20 o. më parë / 30 kor 2025 11:50
Granit Xhaka

Bayer Leverkuseni ka njoftuar se Sunderlandi ka pranuar kushtet e vëna për transferimin e Granit Xhakës. Dhe rrjedhimisht erdhi deri te realizimi i transferimit.

“Granit Xhaka ishte lojtar kyç në ekipin e Leverkusenit që fitoi kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë në vitin 2024”, ka thënë drejtori sportiv i Bayer 04, Simon Rolfes.

“Pranimi i kërkesës së tij urgjente për transferim është i përshtatshëm për Bayer 04 sipas kushteve dhe rrethanave të negociuara dhe është zgjidhja më e mirë për të gjithë të përfshirët. I urojmë Granitit gjitha të mirat për pjesën tjetër të karrierës së tij”.

Në rrjetet sociale, Bayer Leverkuseni e ka falënderuar Xhakën dhe i ka uruar sukses në Sunderland.

Videoja lamtumirëse e klubit gjerman për Xhakën: