Futboll

Zvicra e pret Kosovën në stadiumin më të madh që e ka

Zvicra - Kosova

Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës do të zhvillohet në stadiumin “St. Jakob - Park” në Basel. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën federata zvicerane e futbollit.

Ndeshja zhvillohet më 5 shtator nga ora 20:45 dhe për të dy përfaqësueset është e para e kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026. Është pritur me interes vendimi se ku do të zhvillohet ndeshja, për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në Zvicër.

Kosova pritet të ketë përkrahje të madhe në Basel, ku jeton një komunitet jo i vogël i shqiptarëve.

“Ekipi nacional do t’i luajë dy ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës në Basel. Ndeshjet ndaj Kosovës, të premten më 5 shtator, dhe ndaj Sllovenisë, të hënën më 8 shtator, do të zhvillohen nga ora 20:45 në St. Jakob – Park”, ka njoftuar federata helvetike të mërkurën.

Zvicra në tetor i luan dy ndeshjet në udhëtim, ndaj Suedisë dhe Sllovenisë, ndërsa e pret Suedinë në Gjenevë më 15 nëntor. 

Biletat për ndeshjen Zvicër – Kosovë pritet të dalin në shitje më 31 korrik. 

Ndeshja pritet me shumë interes, pos për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në Zvicër edhe për ndikimin e lojtarëve shqiptarë në përfaqësuesen e këtij vendi.

Kosova e Zvicra janë përballur tri herë deri më tani. Në asnjërën ndeshje nuk kishte fitues. Fillimisht dy përfaqësueset luajtën miqësore më 29 mars 2022 në Zurich. Ajo ndeshje përfundoi 1:1. Më 9 shtator 2023, Kosova e Zvicra luajtën në “Fadil Vokrri”, në kualifikimet për Euro 2024. Ndeshja përfundoi 2:2. Më 18 nëntor 2023, dy përfaqësueset u përballën po në “St. Jakob – Park” në Basel, në ndeshjen tjetër kualifikuese për Evropian. Rezultati ishte 1:1. 

Zvicra ishte kualifikuar në Evropianin 2024, ku edhe u paraqit me sukses, ndërsa Kosova mbeti larg në fazën kualifikuese.

Sërish shorti ka caktuar Kosovën e Zvicrën në një grup kualifikues. “Helvetikët” vlerësohen favoritë.

“St. Jakob – Park”, i njohur edhe si “Joggeli”, është stadiumi më i madh në Zvicër. Për ndeshje të futbollit ka kapacitet prej 38 mijë e 512 vendeve. Është shtëpi e tashmë kampionit të Zvicrës, Baselit, për të cilën skuadër paraqiten Xherdan Shaqiri, Leon Avdullahu, Albian Ajeti e Taulant Xhaka.
Në ndeshjen e kaluar në “St. Jakob – Park”, Kosova kishte përkrahje të madhe nga tribunat.