Futboll

Zeneli: Zemra më rrihte më fort për Suedinë

Arbër Zeneli - Besfort Zeneli

Besfort Zeneli ka treguar se arsyeja pse e refuzoi Kosovën ishte se zemra e tij rrihte më fort për Përfaqësuesen e Suedisë. 

Para se t’i bashkohej Suedisë, Zeneli luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U21.

22-vjeçari për herë të parë u ftua te Suedia në muajin mars në dy ndeshjet miqësore ndaj Luksemburgut dhe ndaj Irlandës së Veriut. 

Mesfushori i Elfsborgut ka tri ndeshje të luajtura për Suedinë. Por, ai së fundi nuk u ftua për ndeshjet e këtij muaji ndaj Sllovenisë dhe ndaj Kosovës. Ai ende s’ka luajtur ndeshje zyrtare me Suedinë.

Zeneli në një intervistë për “Sportbladet” ka treguar se zgjedhja ishte e vështirë, por në fund me gjithë zemër vendosi që ta përfaqësojë Suedinë. 

"Ishte një zgjedhje e vështirë. Mund të kisha luajtur si për Suedinë ashtu edhe për Kosovën. Në fund, zemra më rrihte më fort për Suedinë dhe pastaj zgjodha atë që më dukej e drejtë në shpirt. Familja, të afërmit dhe miqtë, të gjithë e mbështetën vendimin tim. Tifozët e futbollit që mbështesin Kosovën nuk ishin aq të lumtur. Pati një stuhi të vogël urrejtjeje, por e dija këtë dhe isha i përgatitur për të. Nuk më preku aq shumë”, ka thënë Zeneli. 

Ndërkohë edhe vëllai i madh i Besfortit, Arbër Zeneli, ka dhënë intervistë për mediumin suedez. 
Arbëri ka 33 ndeshje të luajtura dhe nëntë gola të shënuar me Kosovën. Ai në të kaluarën ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Suedisë. 30-vjeçari nuk ka luajtur për “Dardanët” që nga viti 2023. 
Arbëri tregon momentet e para kur vendosi që të luante për Kosovën. 

“Kalova nga Suedia në Kosovë. Isha në skuadrën U21 që fitoi medaljen e artë në Euro 2015, por kur isha gati të bëja hapin tjetër drejt ekipit kombëtar të të rriturve atëherë isha transferuar te Heerenveen. Ndjeva se lojtarë të tjerë kishin përparësi në Suedi. Albert Bunjaki atëherë selektor i Përfaqësueses së Kosovës kishte një vizion për mua me ekipin përfaqësues të parë të Kosovës dhe kjo ishte zgjedhja ime”, ka thënë Arbëri. 

Njësoj si Besforti edhe Arbëri luan për Elfsborgun.