Në ceremoninë e “Laureatëve 2025” të Federatës së Futbollit të Kosovës të mbajtur të dielën mbrëma, çmimin “Këpuca e Artë” e fitoi sulmuesi i Ballkanit, Valentin Serebe.
Serebe nga Bregu i Fildishtë e fitoi çmimin për golashënuesin më të mirë të vitit në Superligë, falë 15 golave që i realizoi në këtë vit kalendarik.
Por menjëherë pas përfundimit të ceremonisë ka reaguar sulmuesi Mevlan Zeka.
Zeka që nuk e siguroi mbijetesën me Suharekën pati më së shumti gola të realizuar në edicionin e kaluar. Tani është pjesë e Malishevës.
“Pavarësisht që jam golashënues i sezonit 2024/2025, 22 gola në 35 ndeshje, 2974 minuta, tri gola në Kupën e Kosovës, dy asistime, nuk mora çmimin ‘Këpuca e Artë’ si golashënues i sezonit. Nuk është ankesa, por një reflektim i ndjesisë që vjen nga puna dhe sakrifica që dhashë gjatë gjithë sezonit 2024/2025 dhe pikërisht në qershor të vitit 2025 edhe zyrtarisht jam golashënuesi më i mirë i Superligës, ndërsa tani kemi vetëm një listë të golashënuesve që mund të ndryshoj deri në përfundim të sezonit 2025/2026 zyrtarisht”, ka shkruar fillimisht Zeka në reagimin në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka theksuar tutje se pavarësisht kësaj, është fitues moral.
“Vetëm për të kuptuar më mirë: golashënuesi i vitit kalendarik i përket dy sezoneve të ndryshme dhe kjo nuk ndodh askund tjetër në botë që të vlerësohet një golashënues i Superligës me dy sezone të ndryshme – thjesht një fakt i veçantë”, ka shkruar Zeka.
Ai ka thënë se ka respekt maksimal për të gjithë lojtarët që janë vlerësuar, për skuadrat, tifozëritë dhe sukseset e tyre.