Më 15 nëntor 2024, ndeshja e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre. Lojtarët e Kosovës vendosën të lëshojnë fushën dhe nuk u kthyen edhe kur këtë ua kërkoi gjyqtari i ndeshjes. Nuk u kthyen me arsyetimin se kishte thirrje diskriminuese nga tifozët rumunë.
Më 20 nëntor, UEFA njoftoi se Rumanisë i takon fitorja në tavolinë, duke vlerësuar se loja u ndërpre për shkak se futbollistët e Kosovës e lëshuan njëanshëm fushën e lojës.
Federata e Futbollit e Kosovës e apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, e cila më 5 maj shpalli vendimin e përfundimtar. Rezultati 3:0 në të mirë të Rumanisë mbeti në fuqi. Pra, edhe CAS-i, njëjtë si UEFA, vlerësoi se futbollistët e Kosovës e lëshuan njëanshëm fushën e lojës.
Mediumi rumun GSP ka bërë publike të enjten një pjesë të deklaratave nga dokumenti 18-faqesh i CAS-it.
Në dokument, sipas mediumit GSP, ka disa gjëra interesant. Për shembull, siç shkruan mediumi rumun, “justifikimi i kosovarëve për të mos e vazhduar ndeshjen”.
“Ata pretendojnë se kanë pasur videoincizime, në të cilat tifozët rumunë thuhet se kanë bërë thirrje ‘Kosova është Serbi’. Zyrtarët e ndeshjes nuk arritën t’i vërtetonin akuzat e kosovarëve”, shkruan “GSP”.
Raporti i delegatit të UEFA-s
Mediumi rumun ka publikuar nga raporti i CAS-it deklaratën e delegatit të UEFA-s, Milovan Gjukanoviq.
“Kur gjyqtari akordoi një goditje dënimi për Rumaninë, tifozët rumunë filluan të brohorisnin ‘Serbia, Serbia’. Lojtarët e Kosovës vendosën të largoheshin nga fusha, duke protestuar kundër ‘sjelljes raciste të tifozëve vendas’, siç pretenduan ata pas ndeshjes. Gjyqtari u përpoq disa herë të fliste me kapitenin e Kosovës dhe t’i bindte lojtarët e Kosovës që të qëndronin në fushë dhe ta përfundonin ndeshjen. Ata refuzuan dhe shkuan në dhomën e zhveshjes”, shkruan në deklaratën e delegatit të UEFA-s, cituar nga dokumenti i CAS-it.
Tutje Gjukanoviq ka treguar se është takuar me gjyqtarin, sekretarin e përgjithshëm, trajnerët e ekipeve dhe zyrtarët e sigurisë të të dyja ekipeve, presidentin e mysafirëve.
“Kërkova shpjegime në lidhje me vendimin e lojtarëve për ta lëshuar fushën e lojës. Trajneri i ekipit mysafir shpjegoi se lojtarët vendosën ta bënin këtë, sepse gjyqtari nuk zbatoi hapin e parë të procedurës për sjellje raciste nga tifozët. Shembulli i tij i sjelljes raciste ishte brohoritjet ‘Serbi, Serbi’ nga disa tifozë vendas. Pas rreth 40 minutash, trajneri i ekipit mysafir më tha se grupe më të vogla tifozësh rumunë kishin brohoritur gjithashtu ‘Kosova është Serbi’. Personalisht, dëgjova tifozët rumunë që brohorisnin ‘Serbi, Serbi’, por jo ‘Kosova është Serbi’. Vazhdova me përpjekje për të bindur stafin e Kosovës, së bashku me zyrtarin e sigurisë, që të ktheheshin në fushë, duke u paraqitur atyre pasojat e mundshme të vendimit të tyre. Por nuk pati sukses”, ka shtuar Gjukanoviq në arsyetim, sipas sajtit rumun.
Tutje Gjukanoviq ka treguar në detaje vendimin e lojtarëve të Kosovës për të mos u kthyer në fushë.
“Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në orën 23:43 sipas kohës lokale. I sugjerova gjyqtarit t’u jepte pak kohë për ta rishqyrtuar vendimin e tyre dhe të ktheheshin në fushë. Trajneri i Kosovës më premtoi se do të ktheheshin, por më kërkoi t’u jepja disa minuta kohë për të folur në dhomën e zhveshjes. Ndërkohë, lojtarët rumunë qëndruan në fushë, duke pritur që lojtarët kosovarë të ktheheshin. Në një moment, rreth gjysmë ore pasi ata dolën nga fusha, trajneri i Kosovës më tha se lojtarët e tyre kishin rënë dakord të ktheheshin në fushë, por më pas morën disa incizime nga tribunat derisa ata ishin në dhomat e zhveshjes, ndoshta nga përfaqësues të mediave, në të cilat tifozët rumunë brohorisnin ‘Kosova është Serbi’. Pastaj vendosën të mos ktheheshin (në fushë v.j.)”.
Gjukanoviq: Nuk kishte thirrje ‘Kosova është Serbi’
Siç shkruan tutje sajti rumun, delegati i ndeshjes Rumani – Kosovë, ishte kthyer në fushë për të verifikuar pretendimet e Kosovës.
“Dola në fushë për të parë nëse kishte thirrje të tilla, siç kishte kërkuar sekretari i përgjithshëm i ekipit të Kosovës, por kur shkova në fushë, nuk dëgjoheshin thirrje të tilla. Rreth orës 00:40, gjyqtari u takoi me kapitenët dhe trajnerët e të dy ekipeve dhe u tha atyre se kishin 5 minuta kohë për t’u rikthyer në fushë, pas së cilave ose do të rifillonte ndeshjen, ose do t’i jepte fund ndeshjes. Pas tre minutash, lojtarët e Kosovës filluan të largoheshin nga dhomat e zhveshjes dhe stadiumi, dhe shkuan në autobusin e tyre për të braktisur ndeshjen. Gjyqtari dha vërshëllimën e fundit në orën 00:51”, thuhet në raport.
Deklarata e Fodas në CAS
Gjatë gjyqit pati edhe një deklaratë nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda.
“Kapiteni i Kosovës i kërkoi gjyqtarit tri herë, 10 minuta para përfundimit të ndeshjes, të ndërpriste ndeshjen për shkak të thirrjeve ‘Serbia, Serbia’. Ai i kërkoi gjyqtarit të fillonte procedurën (për të pezulluar ndeshjen v.j.), jo për thirrjet ‘Serbia, Serbia’, po edhe për thirrjet ‘Kosova është Serbi’ nga grupe më të vogla. Gjyqtari nuk ndërmori asnjë veprim. Pas një diskutimi të gjatë me lojtarët, i binda ata që të vazhdonin lojën. Kur ata pranuan dhe ne ishim gati të ktheheshim, ata morën incizime të thirrjeve ‘Kosova është Serbi’, të shqiptuara ndërsa ishin në dhomën e zhveshjes. Në atë moment, a u bë e qartë se ishte e pamundur të vazhdonim lojën, sepse vlerat thelbësore të UEFA-s, siç është respekti, nuk u respektuan. Për më tepër, ishte qartësisht sjellje raciste për herë të dytë në këtë stadium brenda një viti”, ka thënë Foda në CAS, shkruan sajti rumun.
Tutje përzgjedhësi i Kosovës ka theksuar se është djegur edhe flamuri i Kosovës në tribuna.
“Për ne, vënia në dyshim e ekzistencës së vendit dhe kombësisë sonë është më shumë sesa sjellje raciste. Është diskriminim. Flamuri ynë u dogj dhe pas konferencës për media, një gazetar sulmoi një nga lojtarët tanë para të gjitha mediave”, pohoi Foda.
Vendimi i CAS-it
Në fund të shkrimit, mediumi rumun, ka publikuar një pjesë të vendimit të CAS-it.
“Lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari, dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes”, shkruan në vendimin e CAS-it, të publikuar më 5 maj.
UEFA e dënoi Rumaninë me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme në atë ndeshje. Ndërkohë FFK-ja u gjobit me 6.000 euro.