Tifozët e Juventusit e panë atë të festonte duke nxjerrë gjuhën jashtë, ashtu siç bëri heroi i tyre, Alessandro Del Piero. Dhe pas një goli klasik në stilin e Del Pieros, me një gjuajtje mjeshtërore me të djathtën, filluan krahasimet.
Kenan Yidiz la gjurmë me golin e parë të fazës së ligës në Champions. Deri në atë moment golashënuesi më i ri i Juventusit në Ligën e Kampionëve ishte pikërisht Del Piero.
Por me golin ndaj PSV-së, vitin e kaluar, superylli i ri turk shkroi histori.
“Jam i lumtur që ishte ti që vendose rekordin e ri. Për më tepër e bëre këtë duke mbajtur fanellën me numrin e njëjtë, numrin 10”, i tha Yildizit ikona italiane, Del Piero. Turku 20-vjeçar mezi mbante lotët.
Dhe të dielën në Kupën e Botës për Klube në SHBA, Yildiz e bëri të qartë se jo vetëm që po vazhdonte trashëgimin e Del Pieros, porse tashmë po krijon një të veten.
Goli në ndeshjen ndaj Wydadit e demonstroi këtë në mënyrë të përkryer. Një gjysmëvolej i shkëlqyer në cepin e sipërm ishte gol që të gjithë fëmijët ëndërrojnë ta shënojnë. Yildiz ka aftësi të shumta dhe ato i tregoi në fitoren 4:1 të Juventusit. Ishte një paraqitje që ra në sy të botës së futbollit.
Në minutën e gjashtë një devijim nga Abdelmounaim Boutouil bëri që Yildiz të mos merrte meritën për golin e parë të Juves. I dyti ishte plotësisht i tij. I zgjedhur lojtar i ndeshjes, Yildiz i përpoq të shmangte vëmendjen me të njëjtën lehtësi që përdor për të kaluar mbrojtësit.
“Jam krenar për ekipin”, tha Yildiz, duke minimizuar paraqitjen e tij.
Pasi shënoi një nga golat më të bukur të turneut në pjesën e parë, ai vazhdoi me punë të madhe edhe pas pushimit. Shënoi tjetër gol pas asistimit të Randal Kolo Muanit.
Ishte tjetër moment që dëshmoi klasën e sulmuesit. Por trajneri i Juves, Igor Tudor, çmoi diçka tjetër tek Yildizi.
“Mendërisht është shumë i fortë dhe bën vrapime si një mesfushor”, ka thënë Tudor.
Yildiz është produkt i punës së tij të palodhur. Ai qëndron me këmbë në tokë, është konsistent dhe i gatshëm të marrë përgjegjësinë që vjen me fanellën numrin 10 të një prej klubeve më ikonike të futbollit.
Në 50 paraqitjet e këtij edicioni ai ka 11 gola e shtatë asistime. Në ndeshjen e fundit në grup ndaj Manchester Cityt, Yildiz do të tentojë të lërë sërish shenjën e tij.
Skuadra nga Torino ka realizuar nëntë gola në dy ndeshjet e para në Kupën e Botës për Klube. Me Yildizin që bashkon forcat në sulm me Kolo Muanin dhe Francisco Conceicaon, Juventusi po shndërrohet në njërin prej ekipeve më rë rrezikshme sulmuese në Botëror. Për nga efikasiteti deri më tani e rivalizojnë vetëm Bayerni e Benfica.
“Ai është lojtar i jashtëzakonshëm edhe në moshë kaq të re”, ka thënë për Yildizin, Khephren Thuram, që ofron ekuilibrin për ekipin italian. “Ai tregon pjekuri të madhe dhe është vërtet i talentuar. Në çdo ndeshje ne si ekip përpiqemi ta shtyjmë përpara dhe ta lëmë të bëjë atë që bën më mirë”, ka shtuar Thuram.
Pas vetëm dy ndeshjeve, ka nisur të bëhet pyetja nëse Yildiz është ylli i këtij turneu. Fillimi duket shumë premtues.