Futboll

Yakini pret provokime në Kosovë

Yakin

Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll është në prag të kualifikimit në Kupën e Botës 2026. Pas fitores bindëse, 4:1, kundër Suedisë të shtunën mbrëma, bileta për Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada është pothuajse e siguruar nga helvetikët.

Zvicra duhet të mposhtet 6:0 nga Kosova për të mbetur në barazh. Një rezultat i tillë vlerësohet gati i pamundur.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, është kundër festës së parakohshme. Ai ka thënë se urimet do t’i pranojë pasi të përfundoj ndeshja ndaj Kosovës.

Ndeshja Kosovë – Zvicër luhet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Do t’i pranoj me kënaqësi urimet e tua kur të vijë koha. Çdo gjë është e mundur në futboll. Është e vështirë të shënosh gola kundër nesh, por unë kam parë shumë gjëra që konsideroheshin të pamundura. Kështu që do të luajmë si zakonisht në Prishtinë, me vullnetin për të fituar”, ka thënë Yakin.

Zvicra ka pasur kampanjë kualifikuese shumë të suksesshme. Njëjtë si Kosova.

“Është për të ardhur keq që nuk është ende 100 për qind e sigurt. Por kështu është. Llogaria përfundimtare vjen në fund dhe ne ende kemi një ndeshje për të luajtur. Do të luajmë kundër një ekipi që na ka befasuar. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e luftuar fort në Kosovë”, ka thënë Yakin.

Yakini pret atmosferë sfiduese në ndeshjen e fundit në Prishtinë.

“Sigurisht që do të ketë provokime, por ne jemi mjaftueshëm të zgjuar për t’u përballur me to. Do të përpiqemi dhe të luajmë lojën tonë. Atëherë nuk do të pranojmë pesë ose gjashtë gola”, është shprehur Yakin.

Selektori zviceran pret fitore ndaj “Dardanëve”. Zvicra e ka mposhtur Kosovën në ndeshjen e parë në Basel me rezultat 4:0.

Yakin ka thënë se mbrojtja ka qenë çelësi i suksesit në këtë cikël kualifikues.

“Ne kemi punuar shumë se si të luajmë pa top. Këtë e dëshmuam edhe kundër Suedisë”, ka thënë Yakin.