22-vjeçarja, Riola Xhemaili, nuk u paraqit në Kupën e Botës 2023. Megjithatë, mesfushorja me tipare sulmuese do të luajë në Kampionatin Evropian në shtëpi – dhe mund të ëndërrojë edhe më shumë pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Republikës së Çekisë.
(Blick) – Riola Xhemaili, 22-vjeçare, ishte njëra prej lojtareve të fundit që iu bashkua Zvicrës për Kampionatin Evropian. Por, pas fitores 4:1 në miqësoren e zhvilluar ndaj Republikës së Çekisë, futbollistja me tipare sulmuese papritmas e gjen veten në krye të skuadrës. Gjashtë ditë para nisjes së Kampionatit Evropian në Zvicër, futbollistja e lindur në Solothurn ishte titullare – dhe e shfrytëzoi mundësinë që iu dha.
Fillimisht, Xhemaili për mrekulli ia dha epërsinë Zvicrës, dhe më pas, në mënyrë sensacionale, me thembër, asistoi për golin e dytë të shënuar nga Geraldine Reuteler.
“Kam bërë lëvizje të ngjashme edhe në stërvitje këtë javë. Geri e dinte se do t’i vinte topi”, ka deklaruar futbollistja e PSV-së. Ajo ndihet rehat në sulm me Reutelerin. “Ne e kuptojmë njëra-tjetrën në mënyrë të përkryer. Jemi kënaqur”, thotë Xhemaili duke buzëqeshur.
Por Xhemaili që dikur vlerësohej njëra prej lojtareve më premtuese, ka buzëqeshur shumë pak në muajt e fundit kur është folur për përfaqësuese. Pavarësisht sezonit të mirë që e pati në Holandë, selektorja 65-vjeçare, Pia Sundhage, vazhdimisht refuzonte ta ftonte Xhemailin për ekipin përfaqësues. Në fillim të qershorit, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve para përgatitjeve për Kampionatin Evropian, Xhemaili luajti për Zvicrën për herë të parë në këtë vit.
“Viti i kaluar nuk ishte i lehtë për mua. Ka pasur momente të tmerrshme ku unë thjesht doja të isha pjesë e përfaqësueses”, tregon Xhemaili.
Ish-përzgjedhësja e Zvicrës, Inka Grings, vendosi që Xhemaili të ishte futbollistja e fundit që do të mbetej jashtë përfaqësueses para Botërorit 2023 në Australi dhe në Zelandë të Re. Dhe nuk dihej nëse do të ishte kandidate për turneun në shtëpi.
Megjithatë, gjatë periudhës së gjatë të përgatitjeve, ajo me kualitetet e veta e bindi selektoren Sundhage. “Ajo i tregoi kualitetet e saj teknike në stërvitje dhe në ndeshje”, ka konfirmuar selektorja e përfaqësueses. “Sa më afër portës, ajo bëhet edhe më e mirë. Jam shumë e lumtur me paraqitjen e saj”.
Për vetë Xhemailin, ato që Sunhage i ka thënë, janë arritur pas përkushtimit të madh.
“Kam punuar fort për ta fituar besimin që tani e kam”, thotë Xhemaili, paraqitja e së cilës ndaj Republikës së Çekisë ka treguar se vlen më shumë sesa vetëm si lojtare zëvendësuese.
Por, a do të jetë titullare të mërkurën e ardhshme për ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian?
“Do të shohim çfarë vendos Pia”.
Xhemaili duhet që për këtë ta fitojë konkurrencën me lojtaren e Barcelonës, Sydney Schertenleib.
“Pavarësisht a jam titullare, apo jo, do ta jap më të mirën”, ka deklaruar Xhemaili.