Futboll

Xhaka mund të ndikojë në vendimin e Avdullahut për përfaqësuese

Leon Avdullahu

Me kalimin te Hoffenheimi nga Baseli, Leon Avdullahu ka nisur kaptinë të re në karrierë. 

Por 21-vjeçari ende nuk ka vendosur se cilin shtet do ta përfaqësojë. Ai ka mundësi të luajë për Kosovën dhe Zvicrën. Avdullahu ka theksuar se ende nuk ka vendosur, por “blueëin.ch” ka shkruar se Granit Xhaka mund të ndikojë në vendimin e tij. 

“Ende nuk kam vendosur se për kë do të luajë, për Zvicrën apo Kosovën”, ka deklaruar Avdullahu për mediumin gjerman “Kicker” të premten.

Kosova përballet me Zvicrën në ndeshjen hapëse të kampanjës kualifikuese të Botërorit 2026. Ndeshja e 5 shtatorit luhet në Basel. 

“U kam thënë të dyja federatave se fillimisht duhet të sistemohem sa më mirë në Hoffenheim e më pas do ta marrë vendimin final”. 

Avdullahu ka thënë se vendimin do ta marrë me zemër. 

Ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me selektorët e të dyja përfaqësueseve, Franco Fodan e Kosovës dhe Murat Yakinin e Zvicrës. 

Avdullahu ka qenë kapiten i Zvicrës U21, ndërsa është i bindur se mund të jetë zëvendësues i denjë i Granit Xhakës te Zvicra A. 

Avdullahu është 21-vjeçar ndërsa Xhaka pritet të jetë te Zvicra edhe për dy apo tri vjet të tjera. 

Avdullahu në intervistën e gjatë për “Kicker” ka deklaruar se Xhaka dhe Sergio Busquets, janë lojtarët që i ka ndjekur që në moshë të re. 

Xhaka është kapiten dhe lojtari me më së shumti paraqitje te Zvicra. 

Avdullahu pjesë e Superligës së Zvicrës me Baselin ishte për dy edicione dhe më pas e bëri hapin e madh drejt Bundesligës. 

Tani synon të bëhet lider në mesfushën e Hoffenheimit. 

“Gjithmonë kam qenë lider i lindur, tek ekipet e reja të Baselit dhe po ashtu në ekipin e parë. Projekti këtu është i përkryer për mua dhe padyshim se jam bindur”, ka shpjeguar Avdullahu që e fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës me Baselin në edicionin e kaluar.