Mesfushori Granit Xhaka nuk ka pranuar të bëjë një parashikim se sa larg mund të shkojë Zvicra në Kupën e Botës, që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Xhaka ka thënë se do t’i marrin ndeshjet një nga një.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZvicra në botërorin “Katari 2022” ishte eliminuar në një të tetën e finales. Portugalia kaloi në çerekfinale pas fitores së thellë 6:1.
Xhaka thotë se ajo disfatë është harruar.
“Ndeshja e një të tetës së finales kundër Portugalisë është harruar prej kohësh. Ne po shohim përpara dhe kemi një ekip të shkëlqyer. Patëm një fushatë shumë të mirë kualifikuese dhe duam të luajmë mirë në Kupën e Botës. Nëse arrijmë në çerekfinale apo më tej – do t’i marrim ndeshjet një nga një”, ka thënë Xhaka të enjten në konferencën për media para ndeshjes miqësore kundër Gjermanisë.
Miqësoren ndaj Gjermanisë, Zvicra e luan të premten në Basel nga ora 20:45.
Zvicra më 31 mars luan kundër Norvegjisë në Oslo miqësoren e radhës. Në maj luan ndaj Jordanisë. Në qershor planifikon edhe miqësoren e fundit para ndeshjeve të Grupit B të Kupës së Botës.
Ndeshjen e parë në Botërorin e këtij viti, Zvicra e luan ndaj Katarit. Në grup e ka edhe Kanadanë. Nga plejofi i bashkohen në grup Italia, Uellsi, Bosnjë-Hercegovina ose Irlanda e Veriut.
“Ne duam të luajmë Kupën e Botës më të mirë të të gjitha kohërave. Kemi një skuadër të mirë dhe treguam se çfarë mund të bëjmë në kualifikuese”, ka thënë përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
Zvicra e fitoi grupin kualifikues për Kupën e Botës. Në vendin e dytë përfundoi Kosova. Pas Zvicrës e Kosovës përfunduan Sllovenia dhe Suedia.
Xhaka ka thënë se paraqitja për Zvicrën është privilegj.
“Është një privilegj të kthehemi në Zvicër tani dhe të japim gjithçka për ekipin kombëtar”, është shprehur Xhaka.
Ai së fundmi është kthyer nga një lëndim. Ka pasur raportime se Xhaka nuk është në formën më të mirë të mundshme.
“Gjithmonë dua të jem në fushë. Fatkeqësisht, pata një dëmtim të lehtë në tendinin e Akilit. Por ndihem jashtëzakonisht mirë përsëri dhe jam i lumtur që jam kthyer në fushë dhe këtu. Unë besoj se kur luan për vendin tënd, nuk duhet ta shohësh ndeshjen kundër Gjermanisë si një miqësore. Çdo pikë dhe çdo rezultat i mirë që arrijmë na jep besim”, është shprehur Xhaka.
Zvicra e Gjermania janë përballur shpesh në vitet e fundit. Helvetikët nuk kanë humbje në katër ndeshjet e fundit ndaj gjermanëve.
“Kemi luajtur kundër njëri-tjetrit katër herë kohët e fundit dhe nuk kemi humbur në asnjërën prej këtyre ndeshjeve. Sigurisht që nuk jemi favoritë, por mezi presim ndeshjen dhe do të shohim se si do të shkojnë gjërat nesër”, është shprehur Xhaka.
Ai është i lumtur që ndaj Gjermanisë luan në Basel, qytetin e lindjes.
Kapiteni i Sunderlandit ka folur edhe për mesfushorin shqiptar, Ardon Jashari.
Ai ka thënë se Jashari është lojtar i veçantë.
“Ardoni është një lojtar shumë i veçantë i cili e ka treguar, veçanërisht në Amerikë verën e kaluar, se mund të luajë në këtë ekip. Transferimi i tij te Milani do t’i lejojë atij të fitojë shumë përvojë”, ka thënë Xhaka.