Në UEFA ende shkruan se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd. Por gjasat janë gjithnjë e më të mëdha që takimi kualifikues për Kupën e Botës 2026 të zhvillohet në stadiumin “Duboçica” në Leskovc.
Serbia e Shqipëria përballen më 11 tetor. Kjo ndeshje është aktualizuar një muaj më herët, ndërsa ka gjasa të ketë tensione e po ashtu zhvillime të natyrës politike.
Serbia luajti në “Rajko Mitiq” në Beograd më 9 shtator ndaj Anglisë. U rrah keq, 5:0. Por bujë bënë sidomos zhvillimet jashtë fushës. Është fyer selektori Dragan Stojkoviq e po ashtu presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë ndeshjes grupe kriminale të afërta me Vuçiqin kanë sulmuar tifozë të tjerë që bënin thirrje kundër pushtetit aktual në Serbi.
Situata politike në Serbi ka muaj që është e tensionuar, me protesta të vazhdueshme kundër e pro pushtetit të Vuçiqit.
Zhvillimet në ndeshjen ndaj Anglisë kanë bërë që Vuçiqi të flasë për situatën rreth përfaqësueses serbe të futbollit. Ai ka thënë se shikuesit nuk e kanë përkrahur fare përfaqësuesen e Serbisë në ndeshjen ndaj Anglisë dhe se një pjesë e tyre ishin në stadium për arsye politike.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka kritikuar Federatën e Futbollit të Serbisë që zhvendosi ndeshjen ndaj Anglisë nga Leskovci në Beograd. Ka thënë se sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Branko Radujko, nuk ka mundur ta përballonte presionin e anglezëve.
“Nuk ka mundur t’i rezistojë presionit të Ambasadës britanike. As ai, as shtabi teknik dhe gjithë të tjerët. Ambasadori ka bërë punën e tij, ka kërkuar që përfaqësuesja e tij të luajë në një vend më të mirë. Nuk u shkohet atyre nga Beogradi në Leskovc. Zvicra e Danimarka shkuan në Leskovc, kanë mundur të luanin atje, e anglezët nuk kanë mundur”, ka thënë Vuçiqi në televizionin serb “Informer” në fundjavë.
Ai ka theksuar se e ka të paqartë pse ndaj Anglisë kanë luajtur në Beograd e jo në Leskovc.
Në Leskovc stadiumi ka rreth 8.000 vende, ndërsa në Beograd stadiumi i Cërvena Zvezdës i ka 40 mijë ulëse. Mediat e pavarura beogradase kanë shkruar se është e qartë pse Vuçiqi dëshiron kthimin në Leskovc për ndeshjen ndaj Shqipërisë – që të evitojë fyerjet ndaj tij dhe pushtetit. Kontrollimi i masës në Leskovc është shumë më i lehtë, ndërsa kundërshtimet ndaj pushtetit janë më të zbehta se në Beograd.
“Tani thonë se kemi gabuar dhe duam të luajmë kundër Shqipërisë në Leskovc. Dhe natyrisht do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme. Ndoshta do të humbim, ndoshta do të fitojmë, por do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme. Natyrisht, nëse na lejojnë të kemi ndonjë tifoz në tribuna, për shkak të shkeljeve të tifozëve dhe nuk e di pse. Nëse çdo gjë lejohet, në Leskovc do të ketë atmosferë të shkëlqyer. Të paktën njerëzit do të bëjnë tifo për Serbinë. Me gjithë forcë, nga zemra. Leskovci është pika jonë e fortë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Për shkak të telasheve në ndeshjen ndaj Anglisë dhe shkeljeve të përsëritura, Federata e Futbollit të Serbisë pritet të dënohet nga FIFA, organizatorja e kualifikimeve. Ndër të tjera, kishte edhe thirrje kundër Kosovës, kurse u shpalosën flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës.
Vuçiqit i kanë penguar fishkëllimat e tifozëve ndaj përfaqësueses së Serbisë. Dhe ka përsëritur se Serbia duhet të luajë vetëm në Leskovc.
Madje ka paralajmëruar pjesëmarrjen në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
“Do të shkoj në Leskovc, nëse mundem, nëse jam këtu, nuk e di as kur është ndeshja. Do të shkoj për të bërë tifo për ata djelmosha. Edhe nëse pësojmë 1:0 nga Shqipëria, edhe 2:0, do të bëj tifo për ta deri në momentin e fundit, derisa të fitojnë 3:2. Edhe nëse nuk fitojnë, e çka të bëjmë tash!”, ka thënë Vuçiqi.
Presidenti serb madje ka folur edhe për vendosjen në fushë të përfaqësueses së Serbisë në ndeshjen ndaj Anglisë dhe për gabimet e selektorit.
Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë pritet të jetë vendimtare për vendin e dytë në grupin kualifikues për Botëror. Vendi i parë thuajse është siguruar nga Anglia. Në Tiranë ndeshja përfundoi 0:0, në qershor.
Për ndryshimin e vendit, të zhvillimit të ndeshjes, duhet që FSHF-ja të pajtohet. Nga FSHF-ja deri më tani nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar.