Futboll

Vojvoda, lojtari që gjithnjë është në shërbim të skuadrës

vojvoda

Te skuadrat belge, Mouscron dhe Standard Liege, Mërgim Vojvoda ka luajtur më shumë si mbrojtës i krahut të djathtë. Prej 103 ndeshjeve për Mouscronin, në 75 ka luajtur si mbrojtës i krahut të djathtë. Te Standardi i ka 28 prej 33 paraqitjeve si mbrojtës i djathtë. Për Mouscronin e Standardin ka luajtur disa ndeshje edhe si qendërmbrojtës e po ashtu si mbrojtës i krahut të majtë.

Te Torino ka mbuluar shumë pozita. Ka luajtur në raste edhe si mesfushor i qendrës. Por më së shumti paraqitje ka si mesfushor i krahut të majtë. Nga 135 ndeshje gjithsej,  si mesfushor i krahut të majtë ka luajtur plot 73 herë.

Edhe te Kosova, Vojvoda më së shumti paraqitje ka si mbrojtës i krahut të djathtë. Kosova po paraqitet së fundi me pesë mbrojtës, ndërsa Vojvoda mbulon anën e djathtë.

Vojvoda është lojtari me më së shumti paraqitje për Kosovën. Me fanellën e “Dardanëve” nga viti 2017 ka luajtur 69 ndeshje, katër më shumë se Amir Rrahmani. Thuajse të gjitha i ka si mbrojtës i krahut të djathtë.

Por te Como ka rol krejtësisht tjetër. Ai po luan si mesfushor i avancuar i krahut te skuadra që drejtohet nga trajneri Cesc Fabregas.

Rolin që ka marrë te Como i solli fryte. Como të dielën mposhti Juventusin me rezultatin 2:0.

Vojvoda 30-vjeçar u vlerësua prej më të mirëve. Ai thotë se është bërë “mjeshtër” i pozitës së lojtarit të krahut.

“Ideja ishte të bëja presion lart në fushë. Shpesh më duhej të bëja presion ndaj Cambiasos dhe qendërmbrojtësit, por kjo është një sakrificë që lojtarët e sulmit duhet ta bëjnë. Addai dhe Kuhn janë më të mirë në driblim dhe në situata një kundër një, por shkoi mirë. Jam mjeshtër tani, por e vërteta është se ndihesha mirë në Torino duke luajtur si mesfushor i pestë. Në fillim, këtu në Como me trajnerin Fabregas, pata disa vështirësi, por gjithmonë përpiqem të vihem në dispozicion të trajnerit dhe ekipit”, ka thënë Vojvoda në konferencë për media pas fitores kundër Juventusit.

Ai ka treguar edhe sakrificën që kishte bërë në një rast në të kaluarën.

“Kam luajtur edhe si portier”.

Ai e kishte fjalën për ndeshjen Mouscron – Charleroi, e zhvilluar në vitin 2017. Atëbotë ishte pjesë e Mouscronit, që kishte pësuar 5:2.

Në minutën e 83-të të ndeshjes kishte marrë dorezat dhe ishte vendosur mes shtyllave.

Vojvoda tashmë ka arritur në shifrën e 144 ndeshjeve në Serie A. Dhe përvoja e tij po i shërben Kosovës.