Futboll

Vëmendja te derbi Arsenal – Manchester United

Arsenal

Vëmendja në fundjavën e Premier Leagues do të jetë te derbi Arsenal – Manchester United.

Kryendeshja e xhiros së 23-të në futbollin anglez zhvillohet të dielën nga ora 17:30.

Arsenali është lider me 50 pikë, shtatë më shumë se Manchester City dhe Aston Villa që renditen në pozitën e dytë dhe të tretë. Unitedi ka 35 pikë në pozitën e pestë.

“Topçinjtë” të martën e mposhtën Interin në udhëtim me rezultatin 3:1 në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

Arsenali pos në Premier League, i prin tabelës edhe në “Champions” me 21 pikë. Tashmë e ka siguruar kalimin në një të tetën e finales pasi ka shtatë fitore në po aq ndeshje të luajtura.

Skuadra e Mikel Artetas në xhiron e kaluar në kampionat u ndal në barazim pa gola me Nottingham Forestin. Humbjen e fundit në elitë, Arsenalit ia shkaktoi Aston Villa më 6 dhjetor të vitit të kaluar. Arsenali është në kërkim të titullit në Premier League. Për herë të fundit triumfoi në edicionin 2003/04.

Ndërkohë Unitedi e filloi mbarë aventurën javën e kaluar me trajnerin Michael Carrick duke e mposhtur Manchester Cityn me rezultatin 2:0.

Carrick në postin e trajnerit tek Unitedi e zëvendësoi Ruben Amorimin i cili u shkarkua pas rezultateve të dobëta dhe problemeve që kishte me drejtuesit e klubit.

Unitedi nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit në Premier League kundër Arsenalit.

Arsenali është i pamposhtur në nëntë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Manchester Unitedit në të gjitha garat, ndërsa nuk ka pësuar disfatë në “Emirates” në këtë edicion.

Arteta si trajner i Arsenalit ndaj Unitedit ka një rekord prej tetë fitoreve nga 12 ndeshje. Në total mes dy skuadrave janë zhvilluar 224 ndeshje.

Unitedi prin me 95 fitore. Arsenali numëron 81 fitore, kurse 48 ndeshje nuk kanë dhënë fitues.

Xhiroja e 23-të në elitën angleze nis të shtunën nga ora 13:30, me ndeshjen West Ham Unitedit – Sunderland. Te Sunderlandi vazhdon të shkëlqejë kapiteni dhe lideri Granit Xhaka.

Ndeshja e fundit e xhiros është të hënën. Evertoni luan ndaj Leeds Unitedit nga ora 21:00.