Futboll

Treshja e Kosovës me tjetër fitore në Bundesligë

Hoffenheim

Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari me Hoffenheimin kanë shënuar tjetër fitore në Bundesligën gjermane.

Hoffenheimi të shtunën mbrëma e mposhti në udhëtim Eintracht Frankfurtin me rezultatin 3:1. Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e 19-të.

Vendësit kaluan në epërsi në minutën e 18-të me golin që e shënoi Arnaud Kalimuendo. 

Hoffenheimi shifrat në 1:1 i barazoi në minutën e 52-të. Autor i golit ishte Max Moerstedt.

Tetë minuta më pas, Ozan Kabak, e realizoi golin e epërsisë 2:1. Ndërsa Aurele Amenda në minutën e 65-të shënoi autogol për rezultatin përfundimtar 3:1.

Mbrojtësi Hajdari dhe mesfushori Avdullahu e kompletuan ndeshjen. Ndërkohë sulmuesi Asllani luajti deri në minutën e 92-të. Të tre futbollistët e Kosovës kishin paraqitje solide.

Hoffenheimi ka 36 pikë dhe është lartë në tabelë. Frankfurti po ashtu është në pjesën e epërme me 27 pikë.

Për Hoffenheimin ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat.