Futboll

Trajneri kundërshtar shmangu kartonin e kuq të Messit

Lionel Messi

Lionel Messi i ka shpëtuar një kartoni të kuq të mërkurën në mbrëmje dhe kjo ka ndodhur falë trajnerit të San Jose Earthquakes, Bruce Arena.

Messi i Inter Miamit ishte shumë i nervozuar pas një ndërhyrjeje të ashpër në kohën shtesë, në barazimin 3:3 të Inter Miamit në San Jose.

Ai u ka bërtitur gjyqtarëve pasi nuk sinjalizuan për atë rast. Nervozizmi i tij ka vazhduar edhe pas përfundimit të ndeshjes, ndërsa ka shpëtuar vetëm me karton të verdhë.

Gjyqtari kryesor, Joe Dickerson, është dëgjuar duke i thënë Messit “largohu tani”.

Në momentin kur ndodhi ngjarja e Messit me tre gjyqtarët e ndeshjes, Arena ishte afër dhe parandaloi kartonin e kuq.

“Ai nuk ishte i lumtur dhe doja të sigurohesha që ai të mos ndëshkohej me të kuq. U mundova ta largoj sepse një karton i kuq për të pas përfundimit të ndeshjes do të ishte i dhimbshëm. Doja që ai të ishte i gatshëm për lojë për ndeshjen e ardhshme”, ka deklaruar Arena në konferencën për shtyp, shkruan “Reuters” të premten.

Messi i ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar tri asistime në nëntë ndeshjet e këtij edicioni në ligën MLS.