Futboll

Trajneri i Hoffenheimit për KOHËN: Treshja e Kosovës ka potencial për gjëra shumë më të mëdha

ks

Si asnjë klub tjetër, Hoffenheimi i ka tre lojtarë në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Madje të tre janë startues dhe tashmë prej më të rëndësishmëve në ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e qendrës, Albian Hajdari, për mesfushorin Leon Avdullahu, dhe për sulmuesin e qendrës, Fisnik Asllani.

Por çka thonë në klubin gjerman për faktin se i kanë tre lojtarë te Kosova, që ka arritur sukses historik me sigurimin e plejofit për kualifikimin në Botërorin 2026?

Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, ka dhënë disa përgjigje me shkrim për KOHËN.

“Për ne si klub është nder i madh. Kjo tregon se po zhvillojmë lojtarë që janë mjaftueshëm të mirë për të përfaqësuar vendet e tyre. Për vetë lojtarët është sigurisht shumë e veçantë të përfaqësojnë dhe të arrijnë sukses me ekipet e tyre kombëtare. Është një nder për ta dhe shenjë për ne se po punojmë në mënyrën e duhur”, ka thënë Ilzer.

23-vjeçari Asllani te Hoffenheimi u transferua që në vitin 2020. Ndërkohë kishte periudha huazimi te Austria Vjena dhe tek Elversbergu në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Te Hoffenheimi u kthye në verën e këtij viti, tani si lojtar shumë i rëndësishëm.

Avdullahu u transferua te Hoffenheimi më 12 qershor të këtij viti nga Baseli zviceran. Rrugën e tij e bëri Hajdari më 25 gusht. Por Hajdari u transferua në klubin e Bundesligës nga Lugano, ekipi tjetër zviceran.

Edhe te Hoffenheimi, njëjtë si te Kosova, Avdullahu, Asllani e Hajdari janë titullarë.

“Të tre janë ambientuar shumë shpejt dhe e kanë shfrytëzuar maksimalisht mjedisin këtu për zhvillim të mëtejmë. Është e qartë se ata po integrohen gjithnjë e më shumë në ekip dhe po bëhen anëtarë integralë të skuadrës sonë. Të tre tani luajnë për ekipin përfaqësues të Kosovës dhe ndihen shumë të lumtur atje”, ka shtuar tutje Ilzer.

Trajneri austriak vlerëson se Avdullahu, Hajdari e Asllani janë profile të lojtarëve që i janë dashur ekipit dhe vetë atij. Hoffenheimi bëri ndryshime të mëdha në skuadër gjatë verës.

“Vera ishte fillim i ri për ne, me një grup të ri lojtarësh në ekip. Ne kemi kërkuar profile të caktuara. Leon Avdullahu është perfekt për pozicionin e numrit gjashtë. Albi Hajdari ka cilësitë ideale për qendërmbrojtës. Fisnik Asllani është lidhja perfekte midis mesfushës dhe sulmuesit, si një sulmues i tërhequr. Të tre plotësojnë atë që ne kërkonim”.

Hoffenheimi luan në Bundesligë rregullisht nga edicioni 2008/09. Edicionin e kaluar e përfundoi në vendin e 15-të. Këtë edicion, pas xhiros së dhjetë, është në vendin e gjashtë me 19 pikë.

“Ne shohim potencial të madh për zhvillim te të tre lojtarët. Prej kësaj përfiton edhe Hoffenheimi, siç e kemi parë në paraqitjet e tyre së fundi. U urojmë atyre çdo sukses me ekipin e Kosovës dhe shpresojmë që të arrijnë qëllimin e madh për kualifikim në ngjarje të madhe”, ka thënë 48-vjeçari Ilzer.

Për të tre Hoffenhaimi pritet të jetë “stacion” drejt klubeve më të mëdha evropiane.