Mesfushori Florent Muslija iu bashkua Fortuna Dusseldorfit para fillimit të edicionit. Ai u huazua nga Freiburgu për një vit, për afro 1 milion euro.
27-vjeçari menjëherë është kthyer në lider të mesfushës së skuadrës që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.
Reprezentuesin e Kosovës e ka quajtur artist trajneri i Dusseldorfit, Daniel Thioune. “Ai është artist dhe kur artisti nis punën është gjë shumë e bukur”, ka thënë trajneri 51-vjeçar.
Në ndeshjen e fundit, Dusseldorfi fitoi 1:0 në udhëtim te Bochumi, ndërsa Muslija ishte prej më të mirëve në fushë.
Ai ishte motori i ekipit që luftoi shumë dhe bëri ndërhyrje të sakta.
“Dua që ekipi të ndihmohet jo vetëm me lojën me top, por edhe kur nuk e kemi topin”, ka theksuar trajneri Thioune, shkruan të mërkurën “Bild”.
Me paraqitjen individuale dhe ekipore i lumtur ishte edhe Muslija.
“Jemi të vetëdijshëm për Bundesligën 2. Duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Ende kemi hapësirë për përmirësim kur kemi topin. Jam plotësisht i bindur për planin dhe ekipin që kemi. Besoj në secilin prej djemve”, kishte thënë Muslija.