Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, kampioni i Botërorit të klubeve, kampioni i Anglisë dhe ai i Gjermanisë.
Të gjitha këto ekipe dhe disa top-ekipe të tjera do të paraqiten të mërkurën prej orës 21:00 në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Është vetëm xhiroja e parë e fazës së ligës, por top-duele tashmë ofrohen në Champions.
Paris Saint Germaini e fillon mbrojtjen e titullit të Championsit nga ora 21:00 në “Parkun e Princave”. E pret skuadrën e suksesshme italiane, Atalanta.
“Secila ndeshje e Ligës së Kampionëve është e vështirë. Ndjenja para ndeshjes është e njëjtë me atë që ishte në të kaluarën. Fëmijët asnjëherë nuk ndalen së luajturi dhe është e njëjta për ne si ekip. Ne gjithnjë duam të luajmë me stilin tonë të futbollit dhe mezi presim që të fillojë gara. Kemi kujtime të shkëlqyera prej saj”, ka thënë trajneri i PSG-së, Luis Enrique të martën në konferencë për shtyp.
Të martën edhe filloi faza e ligës. Xhiroja e parë, për dallim nga xhirot e tjera, zhvillohet përgjatë tri ditëve.
“Atalanta e ka ndryshuar trajnerin gjatë verës, kështu që është vështirë të parashikohet se si do të luajë. Por po flasim për kundërshtar të vështirë, me lojtarë cilësorë që bëjnë presion lart dhe dinë si të shfrytëzojnë topin. Është gjithnjë vështirë të luhet kundër ekipeve italiane. Duhet të përshtatemi me stilin e lojës së kundërshtarit, por ky është njëri prej kualiteteve tona”, ka shtuar Enrique.
Me shumë vëmendje priten edhe ndeshjet Bayern Munchen – Chelsea dhe Liverpool – Atletico Madrid.
Bayerni synon ta fillojë Championsin me fitore, por nuk do ta ketë lehtë ndaj Chelseat, që javë më parë fitoi Botërorin e klubeve.
“Ne duam ta fitojmë Ligën e Kampionëve. Nuk ka objektiv tjetër. Ekipet e tjera duan ta fitojnë po ashtu. Por tani i gjithë fokusi është te Chelsea. Ëndrra natyrisht mbetet. Nëse fitojmë gjatë ndeshje do të jemi në top-tetë. Katër fitore janë të mjaftueshme për plejof. Kjo fazë është shumë interesante. Ka shumë dramë në formatin e ri dhe mendoj se tifozëve u pëlqen. Ne kemi rrugë të vështirë me Chelsean, Arsenalin dhe Parisin, por duam të përfundojmë në top-tetë”, ka thënë trajneri i Bayernit Vincent Kompany.
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka thënë se Bayerni është top-skuadër.
“Mendoj se Bayerni ka dëshmuar edicionin e kaluar se është shumë afër. Mund të garojë në këtë garë dhe të provojë ta fitojë. Ky është qëndrimi im personal. E shoh bashkë me tri apo katër klube të tjera si favorit për ta fituar Championsin”, ka thënë Maresca. Ai nuk ka folur për gjasat e Chelseat që ta fitojë Championsin. Ka thënë se i marrin ndeshjet një nga një.
“Nuk mund të mendosh për gjysmëfinale apo finale nëse nuk i fiton ndeshjet në fazën e ligës. Tani luajmë me njërin prej ekipeve më të mira në garë. Do të bëjmë më të mirën. Kur fiton ndeshjet të ndihmon me vetëbesim dhe në aspekte të tjera”, ka theksuar Maresca.
Liverpooli në edicionin e kaluar kishte dominuar në fazën e ligës. Tani fillon me ndeshje të vështirë ndaj Atletico Madridit. Kjo ndeshje luhet në “Anfield”.
Liverpooli është kampion në fuqi i Anglisë dhe ka nisur mbarë në Premier League. Është skuadra e vetme që i ka fituar katër ndeshjet e para në elitën angleze.
Skuadra e Diego Simeones, Atletico Madridi, nisi në La Liga me humbje e më pas me dy barazime. Por ktheu optimizmin me fitoren 2:0 ndaj Villarrealit në fundjavë.
Ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo mes Ajaxit dhe Interit, që po ashtu zhvillohet nga ora 21:00.
Nga ora 18:45 janë takimet Olympiacos – Pafos dhe Slavia Praga – Bodo/Glimt.