Futboll

Toney merr ftesë nga Tucheli

Ivan Toney

Ish-sulmuesi i Brentfordit, Ivan Toney, është ftuar sërish te Anglia. Ai mori ftesë nga selektori Thomas Tuchel për ndeshjet e muajit të ardhshëm ndaj Andorrës dhe Senegalit.

29-vjeçari u ftua për herë të parë qëkur u transferua në Arabinë Saudite tek Al Ahli në verën e vitit të kaluar.

Ndeshjen e fundit me Anglinë e luajti në finale të “Euro 2024”, në disfatën nga Spanja.

Toney ka shënuar 28 gola në 42 ndeshje për Al Ahlin në këtë edicion dhe kjo e ka bindur selektorin gjerman të “Tre Luanëve” që ta ftojë për këto dy ndeshje.

Anglia luan ndaj Andorrës në kualifikimet për Kupën e Botës, më 7 qershor, ndërsa e pret Senegalin në stadiumin e Nottinghamit në miqësoren e 10 qershorit.

Jude Bellingham i Real Madridit është ftuar po ashtu, ndonëse mesfushori do të operohet pas Kupës së Botës për Klube.

Tuchel ka ftuar edhe disa lojtarë të tjerë që do të jenë pjesëmarrës në Botërorin e klubeve, përfshirë kapitenin dhe sulmuesin e Bayern Munichut, Harry Kane, Cole Palmerin e Chelseat dhe Conor Gallagherin e Atletico Madridit.

Anglia në dy ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2026 ka shënuar fitore. Me rezultatin 2:0 e mposhti Shqipërinë, ndërsa 3:0 fitoi ndaj Letonisë. Të dyja ndeshjet u zhvilluan në stadiumin “Wembley”.