Tirana ka barazuar 1:1 të mërkurën në udhëtim tek Elbasani në kuadër të xhiros së 18-të të Superiores së Shqipërisë, por ka ndodhur një tjetër ngjarje e pazakontë.
Tirana ishte afër që ta shënonte fitoren e parë që prej 3 tetorit, dhe fitoren e dytë të sezonit. Por, një episod në pjesën e dytë ka bërë që tiranasit të largohen nga fusha në shenjë pakënaqësie pas barazimit të rezultatit. Ata u kthyen pas afro dhjetë minutash dhe ndeshja u mbyll baras në “Elbasan Arena”.
Serge Tabekou shënoi për epërsinë e Tiranës, ndërsa shifrat u barazuan nga Blaise Tsague në minutën e 77-të.
Mediumet në Shqipëri kanë raportuar të mërkurën se te Tirana kanë qenë të pakënaqur me referimin e Laver Allës, dhe në drejtim të tij ka pasur edhe fyerje.
Tirana mbetet e fundit në tabelë me 10 pikë pas 18 ndeshjeve. Elbasani i dyti ka 33 pikë, katër më pak se Egnatia lidere.