Në postin e shtabit teknik, Brdariq e zëvendëson Bylbyl Sokolin.
“Sot, FC Drenica shkruan një faqe të re në historinë e futbollit tonë. Me krenari ju njoftojmë se kemi nënshkruar kontratë afatgjate me trajnerin ndërkombëtar Thomas Brdariq, një emër i madh i futbollit gjerman, ish-lojtar i Bundesligës dhe trajner i suksesshëm në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ku ai ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Me përvojën e tij dhe me vizionin tonë të ri, FC Drenica sot hedh një hap të guximshëm drejt futbollit modern evropian. Me ardhjen e tij, ne e kemi afruar edhe më shumë Gjermaninë në Drenicë - një standard i ri profesional, një mentalitet i ri fitues dhe një energji e re për të ardhmen e klubit”, shkruan në njoftimin e Drenicës.
Brdariq së fundi ka drejtuar klubin e Vllaznisë së Shkodrës. Ka qenë edhe te Shkëndija e Tetovës, ndërsa edhe në disa klube tjera gjermane.
Ai ka pasur karrierë të pasur si lojtar.
Ka luajtur nga viti 2002 deri në vitin 2005 për Gjermaninë. Në tetë ndeshje ka shënuar një gol, ndërsa ka 102 gola në 342 ndeshje për klube të ndryshme gjermane. Ndër të tjera ka luajtur për Wolfsburgun, Bayer Leverkusenin, Stuttgartin.