Dy penallti e vendosën rezultatin 1:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit mes Atletico Madridit dhe Arsenalit.
Skuadrat përballen të martën prej orës 21:00 në Londër në ndeshjen e kthimit. Rezultati i ndeshjes së parë e lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit në finale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoArsenali e Atletico Madridi e kërkojnë suksesin e parë në Champions, por fillimisht janë të përkushtuara për të bërë vend në finalen e 30 majit në Budapest.
Arsenali ka një finale të humbur në vitin 2006, ndërsa Atletico Madridi ka humbur finalet evropiane në vitin 1974, 2014 e 2016.
Në moment më të mirë është Arsenali. Skuadra e Mikel Artetas fitoi 3:0 ndaj Fulhamit në fundjavë dhe kështu ka vazhduar fuqishëm garën për titull në Premier League.
Atletico fitoi 2:0 ndaj Valencias, por ka kohë që është jashtë garës për titull në Spanjë. Kjo në fakt mund t’i shërbejë skuadrës së Diego Simeones, që mund të fokusohet plotësisht në Champions.
“Do t’u them lojtarëve të mi që të luajnë si në pjesën e dytë të ndeshjes në shtëpi. Do të mundohemi të luajmë ndeshjen që duhet luajtur, me intensitet. Kemi shumë besim në atë që e bëjmë”, ka thënë Simeone.
Për sulmuesin francez të Atleticos, Antoine Griezmann mund të jetë ndeshja e fundit në Champions. Ai largohet nga skuadra madrilene në fund të këtij edicioni.
“Do të jetë ndeshje e madhe për t’u luajtur dhe shpresojmë se do të shfaqim përkushtimin e duhur dhe do të përballojmë presionin. Jemi një hap larg finales. Ekipi e di këtë dhe shihet që ka shumë besim para ndeshjes në Londër”, ka thënë Griezmann.
Francezi ka theksuar se ndeshjet e Ligës së Kampionëve janë gjithnjë ndryshe dhe interesante. Griezmann ka thënë se nuk është lojtar që flet shumë, por që mundohet shumë të ndihmojë bashkëlojtarët në fushë.
Suedezi Viktor Gyokeres shënoi golin e Arsenalit në Madrid, ndërsa në fundjavë realizoi dy gola dhe bëri asistimin në fitoren 3:0 ndaj Fulhamit.
27-vjeçari po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për “topçinjtë”.
“Është e mahnitshme të luash këtë ndeshje në shtëpi. E dimë se cila është vlera e ndeshje. Kemi mundësi të mahnitshme dhe të shijojmë këtë me tifozët do të jetë e veçantë. Por duhet të shfaqemi në fushë. Me përkrahjen e shikuesve besoj se do të jetë natë e madhe”, ka thënë Gyokeres.
Ai ka folur për optimizmin te skuadra londineze. Gyokeres pret që Arsenali të luajë me energji dhe përkushtim të gjitha ndeshjet që kanë mbetur. Ai ka shpërthyer këtë vit, duke i realizuar 18 gola për Arsenalin dhe Suedinë.
“Do të jetë ndeshje e vështirë, njëjtë si në Madrid. Atletico ka ekip të shkëlqyer, ka shumë kualitet në sulm dhe e dimë që është skuadër e rrezikshme. Duhet të përballojmë mirë këtë dhe të paraqitemi si duhet kur e kemi topin”, ka shtuar Gyokeres.
Në gjysmëfinalen tjetër, të mërkurën mbrëma, takohen Bayerni e PSG-ja.