Futboll

Te Sllovenia presin rezistencë të madhe nga Kosova

Kosove

Zhan Karniçnik ka thënë se Përfaqësuesja e Sllovenisë në futboll duhet të jetë dominuese në fushë ndaj Përfaqësueses së Kosovës, nëse dëshiron ta mbyllë me fitore ndeshjen e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Por mbrojtësi i Sllovenisë ka shtuar se përballja kundër Kosovës do të jetë e vështirë.

Ai pret fitore kundër “Dardanëve” të shtunën, në ndeshjen që luhet në Lubjanë nga ora 20:45.

Për Slloveninë fitorja është rezultati i vetëm i pranueshëm për të mbajtur gjallë shpresat për të siguruar plejofin kualifikues për Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kosovës i mjafton edhe barazimi për të siguruar plejofin.

Zvicra është lidere e grupit B me dhjetë pikë. Pason Kosova me shtatë pikë në vendin e dytë, kurse Sllovenia është e treta me tri pikë. Suedia është e fundit me një pikë.

“Kemi kohë të mjaftueshme për të qenë në nivelin tonë maksimal dhe për të treguar të shtunën se e duam këtë fitore dhe se mund të bëjmë diçka të madhe këtë vit. Nuk ka vend për kalkulime, duhet të jemi kundërshtarë dominues dhe të krijojmë mundësi për gol”, ka thënë Karniçnik të martën pas seancës stërvitore.

Ai pret mbrojtje të fortë nga Kosova. Por ka theksuar se duhet të kenë kujdes nga kundërsulmet dhe ndërprerjet. 

“Pres që kundërshtari të jetë i fortë në mbrojtje. Kosovarët do të kërkojnë mundësitë e tyre në kundërsulme dhe ndërprerje. Por ne duhet të tregojmë që nga minuta e parë se duhet të fitojmë. Do të shohim se çfarë do të përgatisë trajneri për këtë ndeshje, por patjetër duhet t’u kushtojmë vëmendje kundërsulmeve dhe ndërprerjeve të tyre”, është shprehur Karniçnik.

Sllovenia do të jetë pa sulmuesin kryesor Benjamin Sheshko. Sulmuesi i Manchester Unitedit u lëndua në fundjavë në ndeshjen kundër Tottenhamit në Premier League.

Edhe Kosova do të paraqitet pa portierin e parë, Aro Muriq. Portieri i Saussolos është i suspenduar dhe do të kthehet në ndeshjen kundër Zvicrës.

Sllovenia ndeshjen e fundit e ka kundër Suedisë në Solna, kurse Kosova e pret Zvicrën në Prishtinë.

Të dyja ndeshjet luhen të martën e ardhshme.