Te përfaqësuesja e Sllovenisë, kundërshtares së ardhshme të Kosovës në kualifikimet e Botërorit 2026, dhe te skuadra e Manchester Unitedit, janë të shqetësuar me gjendjen e sulmuesit Benjamin Sheshko.
Sheshko të dielën bëri kontrollime më të detajuara mjekësore për ta parë shkallën e lëndimit të cilin e pësoi të shtunën në barazimin dramatik 2:2 me Tottenhamin në udhëtim.
Sheshko në lojë u inkuadrua në pjesën e dytë, ndërsa doli nga loja pesë minuta para se të përfundonte takimi.
Ai kishte një mundësi shënimi në momentin që u lëndua. Më pas e pati të pamundur ta vazhdonte lojën.
“Më së shumti shqetësohem për Benjamin Sheshkon. Është e qartë se lëndimi është në gju. Në raste të tilla, është e vështirë të thuhet se sa i rëndë është lëndimi. Jemi ekip më i mirë me Benjaminin dhe me të vërtetë na duhet. Nuk e di për sa kohë mund të mungojë sepse është e vështirë të parashikohen lëndimet e gjurit”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i “djajve të kuq”, Ruben Amorim.
Sllovenia e pret Kosovën të shtunën e ardhshme. Kosova e siguron vendin e dytë, përkatësisht të plejofit për Botëror, në rast se merr një pikë në udhëtim.