Futboll

Te Shkëndija nuk janë dorëzuar, synojnë kualifikimin në Baku

Te Shkëndija nuk janë dorëzuar, synojnë kualifikimin në Baku

Futbollistët e Shkëndijës së Tetovës humbën me rezultat minimal 1:0 nga Qarabagu i Azerbajxhanit të martën mbrëma në Shkup. Pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, Shkëndija ka ende mundësi për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Por për të kaluar në raundin tjetër kualifikues të Championsit, ekipit të drejtuar nga Jeton Beqiri i duhet fitore e madhe javën e ardhshme në Baku.

Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, beson se lojtarët e tij mund ta kalojnë ekipin nga Azerbajxhani.

“Sa u përket mundësive, ne do të tentojmë, gjithçka për gjithçka, ne nuk kemi humbur me rezultat katastrofik, ne kemi humbur vetëm 1:0 dhe pse të mos tentojmë të fitojmë në Baku. Duhet të jemi gjithmonë optimist, duhet gjithmonë të shikojmë përpara dhe në aspektin pozitiv”, ka thënë trajneri i tetovarëve.

Ai ka pranuar humbjen, por ka shtuar se ekipi tij nuk u turpërua nga Qarabagu.

“Humbëm, por nuk u dorëzuam, nuk u turpëruam. Keqardhja ime e vetme është se nuk luajtëm mirë dhe nuk ishim në nivel në pjesën e parë. Keqardhja e dytë është se nuk duhet në këto nivele, në xhiron e tretë të Ligës së Kampionëve të pësojmë ashtu gola”, është shprehur ai. 

Beqiri pret nga ekipi tij luftë dhe besim deri në fund të ndeshjes kthyese të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Është e rëndësishme që të besojmë dhe të tentojmë. Për arsye se unë mendoj se do të shprehemi më mirë në Baku, për shkak se unë besoj se presioni do të jetë në anën e vendasve. Ndoshta një gol në pjesën e parë apo një gol i hershëm mund ta ndryshojë të gjithë kahun e ndeshjes. Unë, stafi dhe i gjithë ekipi jemi të një mendimi se nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment. Duhet të luftojmë dhe duhet të besojmë deri në fund”, ka deklaruar Beqiri.

Beqiri ka falënderuar shikuesit për përkrahje masive. Në stadiumin e qytetit të Shkupit ishin rreth 20 mijë shikues.

Por, për shkak të thirrjeve “Ilirida” dhe “Shqipëria e Madhe” nga tifo-grupi “Ballistët”, Ministria e Brendshme ka nisur një procedurë.

“Bazuar në materialet e regjistruara, Shërbimi i Sigurisë Publike të Shkupit ka filluar një procedurë, në koordinim me prokurorinë publike, për përhapjen e mesazheve nacionaliste dhe ksenofobe”, shkruan “ekipa.mk” të mërkurën.

Ministria e Brendshme ka nisur më herët një procedurë për shkak të thirrjeve antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.