Te skuadra irlandeze, Shelbourne, do të mundohen që disfatën e minutës së fundit nga Shkëndija e Tetovës në Shkup ta kthejnë në motivim për duelin ndaj Dritës, që zhvillohet të enjten mbrëma.
Kështu ka thënë trajneri Joey O’Brien të mërkurën në konferencën për shtyp.
Shelbourne – Drita luhet të enjten nga ora 21:00 dhe i takon xhiros së tretë në Ligën e Konferencës.
“Kemi lënë tri pikë prapa në Maqedoni. Kështu që kjo është mundësi që të dalim në fushë dhe të fitojmë në Dublin para tifozëve tanë. Është mundësi shumë e mirë për ne. U kam thënë djemve që ta shfrytëzojmë atë vuajtje kundër Shkëndijës në mënyrë që të mos e përsërisim të njëjtën gjë të enjten mbrëma. Por, lojtarët duhet ta kuptojnë se ajo që e kemi lënë prapa, nuk na jep të drejtën të mendojmë se do të kemi natë të lehtë. Nuk do të jetë fare e lehtë, kjo është e sigurt”, ka deklaruar O’Brien.
Shelbourne e ka vetëm një pikë pas dy xhirove.