Prishtina pati disa mundësi të mira shënimi në ndeshjen ndaj Larnes në udhëtim. Dy herë topi u largua nga vija e portës nga futbollistët e skuadrës së Irlandës së Veriut. Megjithatë, gola nuk pati dhe Prishtina barazoi 0:0 në stadiumin “Ballymena Showgrounds”, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja u zhvillua të enjten mbrëma, derisa dueli kthyes luhet të enjten e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ajo ndeshje do të transmetohet direkt në Kohavision, ndërsa zhvillohet nga ora 20:00.
Trajnerin e kryeqytetasve, Arsim Thaqin, e gëzon paraqitja e mirë ndaj Larnes, njësoj si ajo ndaj Sheriff Tiraspolit në fitoren 2:1 në ndeshjen kthyese të Ligës së Evropës. Prishtina pavarësisht asaj fitoreje, u eliminua nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Evropës dhe u bart në kualifikime të Ligës së Konferencës.
“Besoj shumë se do ta kalojmë këtë raund duke u bazuar në dy lojërat e fundit, qoftë me Sheriffin por edhe me Larnen. Kemi bërë paraqitje të mirë. Kuptohet që nuk ka qenë i lehtë udhëtimi për Irlandë, ka qenë mjaft i mundimshëm”, ka deklaruar trajneri Thaqi të premten për KOHËN.
Tekniku nga Malisheva kishte bërë tri ndryshime në formacionin titullar, në krahasim me fitoren që u arrit ndaj moldavëve të Sheriffit. Portieri Ardit Nika ishte në portë, ndërsa Gjorgje Shelatiq në krahun e majtë dhe Leonat Vitija në qendër, luajtën në mbrojtje. Kjo treshe, bashkë me kontributin e të tjerëve, nuk lejuan që Larne të shënojë gol. Merita pati edhe portieri Nika që bëri disa pritje.
“Mendoj që barazimi si mysafir është rezultat pozitiv dhe ekziston mundësia që në ndeshjen në Prishtinë të fitojmë dhe ta sigurojmë kalimin në raundin tjetër”, u shpreh Thaqi.
Në rast se Prishtina e eliminon Larnen e Irlandës së Veriut, në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave të organizuara nga UEFA, do ta ketë përballë fituesin e ballafaqimit Varazhdin – Santa Clara. Varazhdini kroat e fitoi ndeshjen e parë në shtëpi 2:1.
Nga skuadrat e Kosovës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës po paraqitet edhe Ballkani. Suharekasit e fituan ndeshjen e parë në kryeqendrën e Kosovës 4:2 ndaj Florianas së Maltës. Ndërkohë, Malisheva është eliminuar më herët nga kualifikimet e kësaj gare, nga Vikingur Reykjaviku i Islandës, që fitoi me rezultatin e përgjithshëm 9:0.
Në Ligën e Kampionëve, përkatësisht në rrethin e dytë kualifikues, po paraqitet kampionia e Kosovës, Drita. Drita u mposht në ndeshjen e parë në Kopenhagë 2:0 nga Copenhageni, skuadra më e suksesshme e futbollit danez. Ndeshjen kthyese e luan të martën në Prishtinë. Katër herë kampionia e Kosovës në rrethin e parë kualifikues e eliminoi skuadrën luksemburgase, Differdange, me rezultatin e përgjithshëm 4:2.