Futboll

Te Malisheva të përkushtuar për sukses historik

malisheva

Trajneri i Malishevës, Bekim Isufi, e ka vlerësuar punën që e kanë bërë lojtarët e tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet kundër Vikingur Reykjavik të Islandës. Por, për ta kaluar me sukses raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, Isufi ka thënë se lojtarët e Malishevës të enjten në Prishtinë, por edhe pas një jave në udhëtim, duhet t’i luajnë dy ndeshjet më të mira në histori të klubit.

Ndeshja Malisheva – Vikingur Reykjavik zhvillohet të enjten nga ora 20:15 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje do të transmetohet në KTV.

“Duhet t’i japim ndoshta 180 minutat më të mira në histori të klubit për ta kaluar një kundërshtar të tillë”, ka thënë Isufi të mërkurën në konferencë për media.

Ai e ka vlerësuar ekipin islandez. Por ka theksuar se Malisheva do të paraqitet me mënyrën e njëjtë të lojës, ashtu siç është paraqitur edhe në Superligë

“Kemi bërë përgatitje të duhur kundër një kundërshtari që e gëzon respektin e të gjithë atyre që e njohin. Jemi përgatitur gjatë gjithë kohës, duke u përshtatur me stilin e kundërshtarit, por pa u larguar nga loja jonë. Duam ta ruajmë stilin tonë të lojës, veçanërisht atë pjesë që na ka kualifikuar në kampionat. Nuk guxojmë të dalim nga ajo që dimë të bëjmë më mirë”, është shprehur Isufi.

Për Malishevën është hera e dytë që paraqitet në garat evopiane. E dyta herë është edhe për trajnerin Isufi. Trajneri Isufi e kishte drejtuar edhe Dritën tetë vjet më parë.

“Kam ndjenja të ndryshme nga paraqitja ime e parë me Dritën para tetë vitesh. Ishte hera e parë pas pranimit në garat ndërkombëtare, një ndjenjë që nuk harrohet. Tash, pas një kohe dhe me vazhdimësi, fillon një garë e re, me emocione të tjera që të rrezatojnë brenda dhe një dëshirë për t’u paraqitur çdo vit në këtë nivel. Ndoshta atëherë nuk kishim përvojë, por tani, me kalimin e kohës dhe paraqitjet e ekipeve të tjera gjatë viteve, rikthimi në Evropë është një privilegj i madh”, thotë Isufi.

Vikingur Reykjavik ka përvojë shumë të gjatë në garat evropiane. Për herë të parë ishte paraqitur në edicionin 1972/1973. Vjet u eliminua nga Panathinaikosi në plejofin e Ligës së Konferencës. 

Vikinguri i ka fituar shtatë tituj të kampionit të Islandës dhe pesë herë trofe të Kupës.

“Duhet pasur parasysh se kundërshtari ka përvojë të jashtëzakonshme, pasi u eliminua vetëm në lojën e fundit vitin e kaluar nga Panathinaikos”, ka theksuar tekniku gjilanas.

Ai ka folur edhe për largimin e Drilon Hazrollajt dhe përforcimet e reja. Ka thënë se Hazrollaj është vështirë të zëvendësohet. Por pret nga lojtarët aktualë të Malishevës t’i tregojnë vlerat e tyre në ndeshjet kundër ekipit islandez.

“Është e vështirë të zëvendësohet Drilon Hazrollaj. Malisheva si klub i qaset me maturi përforcimeve dhe i analizon mirë lojtarët që mund të afrohen. Ne nuk kemi buxhet të madh si disa klube të tjera, por gjithmonë jemi të kujdesshëm në përzgjedhjen e lojtarëve. Pa dyshim, do të doja shumë të afroheshin lojtarë me cilësi, por konkurrenca në futbollin e Kosovës është shumë e fortë dhe e egër”, ka përfunduar Isufi.

Në konferencë u paraqit edhe kapiteni, Dren Kryeziu. Ai e ka premtuar maksimumin nga lojtarët.

“Jemi përgatitur maksimalisht. Kemi kaluar një fazë përgatitore mjaft të mirë. Kemi analizuar kundërshtarin dhe pikat e tij të forta. Përballemi me një kundërshtar që ka traditë në garat evropiane. Ne si mbrojtje duhet të tentojmë të mos pranojmë gol dhe ta marrim ndeshjen me qetësi”, ka thënë Kryeziu.

Malisheva edicionin e kaluar ishte ndalur në raundin e parë nga Buduqnosti i Podgoricës.