Numërimi mbrapsht për Kupën e Botës 2026 ka filluar. Faza e parë kualifikuese ka përfunduar dhe janë përcaktuar pjesëmarrësit direkt si dhe përfaqësueset që do të duhet të ndjekin ëndrrën e Botërorit 2026 përmes plejofit në mars. Kosova e Shqipëria janë dy prej përfaqësueseve që do të paraqiten në plejofin kualifikues për Kupën e Botës që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Më 26 mars “Dardanët” luajnë me Sllovakinë në Bratislavë. Nëse fitojnë, më 31 mars presin Turqinë apo Rumaninë. Dhe me fitore edhe në atë ndeshje, do të kualifikoheshin në Botëror.
Nëse kualifikohet, Kosova do të jetë në vazon e katërt për short, bashkë me fituesit e tri plejofeve tjera evropiane, dy plejofeve ndërkontinentale dhe Jordaninë, Kepin e Gjelbër, Ganën, Kuraçaon, Haitin dhe Zelandën e Re.
Ceremonia e shortit, që pritet të jetë madhështore, do të mbahet të premten në Washington nga ora 18:00. Do të marrin pjesë delegacionet e federatave të kualifikuara dhe atyre që janë ende në garë. Pra edhe delegacioni i Kosovës dhe Shqipërisë.
Ky do të jetë Botërori i parë në histori me plot 48 përfaqësuese. Do të formohen 12 grupe me nga katër përfaqësuese. Në Botëror, dy të parët në grup avancojnë në 1/16 e finales, bashkë me tetë përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, prej 12 grupeve gjithsej.
Te Kosova nuk kanë ndonjë preferencë. Fokusi thonë se është për ndeshjen kundër Sllovakisë më 26 mars.
“Nëse e shohim në aspektin sportiv dhe profesion, jo që nuk na intereson shorti, sepse është me rëndësi, por jemi duke menduar për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Është mirë që dihen grupet, nuk kemi preferenca, pasi të gjitha shtetet pjesëmarrëse janë të fuqishme. Gjithë fokusi jonë është për ndeshjen ndaj Sllovakisë”, ka thënë drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti për KOHËN të enjten.
Ai insiston se për Kosovën më e rëndësishme është ndeshja në Bratislavë.
“Ndeshja e parë do të jetë finale, kurse e dyta mund të jetë superfinale. Po i japim shumë rëndësi ndeshjes ndaj Sllovakisë. Aktualisht nuk kemi preferenca, ato mund të bëhen vetëm pasi të kualifikohemi. Nuk kemi ndonjë simpati apo urrejtje për ndonjërën prej shteteve pjesëmarrëse. Por ajo që dihet se do të kemi ndonjë superfuqi si kundërshtare. Për ne të gjitha shtetet pjesëmarrëse janë të barabarta”, është shprehur Sahiti.
Kosova nuk është përballur asnjëherë kundër Sllovakisë. Sllovakia është përfaqësuesja e radhës e një shteti që nuk e njeh shtetin e Kosovës e që do të luajë ndaj përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Sllovakët patën kualifikime të mira. Përfunduan në vendin e dytë në grup me Gjermaninë. Gjermania i mblodhi 15 pikë, Sllovakia 12, Irlanda e Veriut nëntë dhe Luksemburgu mbeti pa pikë.
Por për “Dardanët”, Turqia e Rumania nuk janë kundërshtare të panjohura. Kosova në të kaluarën ka luajtur kundër këtyre dy përfaqësuesve.
Kosova kundër Rumanisë ishte përballur katër herë. Ka tri humbje dhe një barazim. Njëra prej tri humbje ishte me rezultat zyrtar. Ndeshja e 15 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Rumanisë ishte ndërprerë në minutat e fundit kure rezultati ishte 0:0.
Ndërkohë, raportet me Turqinë i ka të shkëlqyera, ndonëse i ka humbur dy përballjet e ciklit të parë kualifikues për Botërorin “Rusia 2018”.
Edhe te Shqipëria fokusin e kanë në ndeshjen kundër Polonisë. Nëse kalon Poloninë e Robert Lewandowsit, Shqipëria do të përballet me fituesin e duelit Ukrainë – Suedi.
Por presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), Armand Duka, për KOHËN ka thënë se do ta preferonte një përballje të Shqipërisë me Brazilin.
“Rruga jonë është ende e vështirë. Uroj që të jemi në Botëror dhe pastaj le të na bjerë cilado përfaqësuese. Më pëlqen shumë të luajmë kundër Brazilit. Do të ishte e veçantë, por edhe derbi Sylvino – Brazil”, ka thënë duka për KOHËN.
Tekniku brazilian, Sylvinho, mori drejtimin e Shqipërisë në vitin 2023. Ai e drejtoi Shqipërinë në Evropianin e vitit të kaluar në Gjermani. Si lojtar Sylvinho ka luajtur për Brazilin 6 ndeshje.
Ka qenë edhe asistent në përfaqësuesen e Brazilit nga viti 2016 deri në vitin 2019.