Te përfaqësuesja e Kosovës në futboll janë të vendosur që të kthehen në Ligën B. Për këtë futbollisteve të Kosovës u duhet fitorja me dy gola dallim në ndeshjen e fundit të Grupit 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Më 3 qershor në Riga, Kosova luan me Letoninë. Letonezet befasuan Kosovën duke e mposhtur 1:0 më 24 shkurt në “Fadil Vokrri”.
Në grup është edhe Maqedonia e Veriut. Ndaj saj Kosova i ka fituar dy ndeshjet, ndërsa Letonia e ka fituar ndeshjen e deritashme. Ndeshja tjetër mes Letonisë dhe Maqedonisë së Veriut zhvillohet më 30 maj.
Nuk pritet të ketë telashe për Letoninë, kështu që vendimtare është ndeshja e 3 qershorit.
Përfaqësuesja e Kosovës ka dy ditë që ka nisur me stërvitje, ndërsa FFK-ja vetëm të martën publikoi listën e lojtareve të ftuara nga Sami Sermaxhaj.
Selektori Sermaxhaj është shprehur optimist. Ai pret që të mërkurën të kompletohet grupi i lojtareve. Sermaxhaj ka thënë se stërvitjet kanë nisur më herët për shkak se disa futbolliste, sidomos ato në Turqi, e kanë përfunduar edicionin para 25 ditësh.
Të mërkurën përfaqësuesja luan ndeshje kontrolluese me Dukagjinin e Klinës, fituesin e Kupës.
“Loja vendimtare do të jetë Letoni – Kosovë. Do të jetë një ndeshje shumë interesante. E presim me padurime unë dhe futbollistet, që të sfidohemi në këtë ndeshje interesante”, ka thënë Sermaxhaj të martën për sajtin zyrtar të FFK-së.
Futbollistja Donjeta Halilaj është e kënaqur me punën që është bërë.
“Dy stërvitjet e para kanë shkuar shumë mirë dhe kanë qenë shumë të nevojshme për të parë gjendjen e vajzave se si janë. Disa prej futbollisteve kanë pasur pushim pasi që ka përfunduar kampionati. Shpresoj që ndeshje e nesërme testuese na ndihmon shumë për të parë gjendjen e vajzave në mënyrë që të komponohemi sa më mirë në ekip”, ka theksuar Halilaj. Ajo ka shtuar se në Letoni udhëtojnë për fitore.
Edhe sulmuesja Kaltrina Biqkaj është optimiste.
“Do të mundohemi në çdo repart të përmirësojmë diçka. Forcat tona që i kemi duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Kryesisht do të mundohemi të luajmë me presing për të mos i lënë futbollistet e Letonisë që ta luajnë lojën e tyre por ne ta luajmë lojën tonë”, ka thënë Biqkaj.
Ky është edicioni i dytë i Ligës së Kombeve për futbolliste. Edhe në edicionin e parë Kosova ishte në Ligën C, përkatësisht në nivelin e tretë e të fundit. Por kishte fituar grupin ku ishin Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Kështu Kosova kishte kaluar në Ligën B në kualifikimet për Euro 2025. Në kualifikime për Evropian, Kosova mbeti e fundit në Grupin B4, prapa Uellsit, Ukrainës dhe Kroacisë. Rrjedhimisht ra në Ligën C për këtë kampanjë. Tani synohet kthimi në nivelin e dytë, por kjo do të varet nga ndeshja e 3 qershorit.
Vetëm fituesi i grupit kalon në ligën B. Prej pozitës së dytë mund të sigurohet plejofi.