Futboll

Te Grasshopperi flasin për potencialin e Leart Kabashit

Leart Kabashi

Vendimi i trajnerit të Grasshopperit, Tomas Oral, për ta inkuadruar në fushë 17-vjeçarin Leart Kabashi, në ndeshjen derbi për mbijetesë kundër Yverdonit, doli i qëlluar.

Kabashi u inkuadrua në minutën e 67-të. 12-të minuta më vonë, mesfushori tregoi talentin e tij kur shënoi golin e tij të parë në Superligë. Talenti Kabashi pranoi një top dhe me lëvizje mashtruese u lirua nga dy lojtarë kundërshtarë, bëri disa hapa para me top dhe me gjuajtje të fortë shënoi golin e katërt për Grasshopperin.

Me kontributin e Kabashit dhe Abrashit, Grasshopperi ka bërë një hap të madh në garën për mbijetesë në Superligën e Zvicrës në futboll.

Për Kabashin ishte vetëm paraqitja e tij e dytë këtë edicion me fanellën e Grasshopperit. Tani te Grasshopperi presin nga Kabashi të tjera paraqitje të mira dhe gola.

“Ai ka një potencial të madh”, thotë Abrashi me krenari, kur e pyesin për shokun e skuadrës së tij, thuajse 18 vjet më i ri. “Duam një tjetër gol prej tij të shtunën”, ka vazhduar kapiteni Abrashi, i cili asistoi në golin për 3:0.

Trajneri Tomas Oral po ashtu vlerëson paraqitjen e Kabashit.

“Ai konfirmoi atë që ndjeva që nga fillimi”, tha trajneri i Grasshopperit.

Ai ka folur për potencialin që ka Kabashi.

“Ai është një mesfushor shumë i rrezikshëm. Nëse ai është në atë pozitë, është i aftë të shënojë edhe nga distanca”, ka theksuar Oral.

Për golin ka folur edhe Kabashi. Ai i është gëzuar golit të parë. Ka theksuar se synon të tjerë gola në të ardhmen për Grasshopperin.

Ashtu si Abrashi, edhe Oral është i vetëdijshëm se nuk duhet t’i gëzohen fitores së thellë.

“Fitorja ishte e rëndësishme për shpirtin”, theksoi gjermani.

Grasshopperi është në vendin e dhjetë me 36 pikë, sa ka edhe Winterthuri. Yverdoni është në vendin e fundit me 35 pikë.

Sioni, kundërshtari i ardhshëm i Grasshopperit, është në vendin e nëntë me 41 pikë.

“Jemi shumë të lehtësuar për momentin. Zurichu na ndihmoi dje. Kjo ishte fitore e rëndësishme”, ka thënë Abrashi, duke falënderuar rivalët e tij të qytetit për fitoren 4:1 kundër Winterthurit.

Grasshopperi qëndron më mirë sa i përket goldallimit me Winterthurin. Por Abrashi thotë se synimi i radhës është fitorja ndaj Sionit.

“Do të shkojmë në Sion për të fituar. Por do të jetë shumë e vështirë. Tani nuk duhet të mendojmë më për ndeshjen e kaluar. Do të kemi tjetër ndeshje pas tri ditësh”, ka thënë Abrashi.

Abrashi 35-vjeçar ka luajtur 272 ndeshje për Grasshopperin, ndërsa ka edhe 11 gola dhe 20 asistime.