Futboll

Te “Dardanët” mund të ketë lëvizje, por jo të shumta

Kosova

Mesfushori Lindon Emërllahu ka kaluar nga Cluji rumun te skuadra ukrainase, Polissya Zhytomyr. Kalimin te Polissya së shpejti pritet ta zyrtarizojë edhe mbrojtësi Ilir Krasniqi, që ende është lojtar i skuadrës tjetër ukrainase, Kolos Kovalivka. 

Emërllahu e Krasniqi janë reprezentues të Kosovës. Dhe pritet të jenë prej jo shumë lojtarëve

“Dardanë” që ndërrojnë mjedis para fillimit të garës për vitin 2026. 

Afati kalimtar i janarit nuk pritet të ofrojë shumë lëvizje të lojtarëve të Kosovës. Në verë kishte lëvizje të shumta e të bujshme, ndërsa në janar pritet të jetë më qetë.

Në fakt ka diskutime të shumta për lojtarë të caktuar të Kosovës, sidomos për Fisnik Asllanin. Sulmuesi 23-vjeçar tani vlerësohet 30 milionë euro, ndërsa ka kontratë me Hoffenheimin deri në qershor të vitit 2029. Me gjithë interesimin e skuadrave të mëdha, sidomos nga Gjermania, gjasat janë më të mëdha që shtatlarti ta kompletojë këtë edicion te Hoffenheimi e më pas të bëjë transferim. Bayerni e Borussia Dortmundi janë prej skuadrave që janë përmendur lidhur me transferimin e ardhshëm të Asllanit. Ka pasur raportime edhe për interesim të Barcelonës.

Asllani ka gjashtë gola e dy asistime në Bundesligë, ndërsa realizoi gola vendimtarë për Kosovën. Disa gola të tjerë në elitën gjermane do ta rrisnin ndjeshëm vlerën e tij. Hoffenheimi tani, por edhe në verë, vështirë se do të heqë dorë nga sulmuesi pa një dëmshpërblim të majmë.

Te sulmuesit e tjerë vështirë se mund të ketë lëvizje. Vedat Muriqi është stabilizuar te Mallorca, ndërsa Albion Rrahmani po kërkon stabilitetin te Sparta Praga.

Edon Zhegrova po ashtu po kërkon të stabilizohet te Juventusi, ndërsa Baton Zabërgja në verë kaloi te Metalist 1925 në Ukrainë. Ermal Krasniqi pritet ta kompletojë kampionatin te Legia Varshava në Poloni.

Gjasat vlerësoheshin të mëdha që Milot Rashica të bënte transferim në janar, por situata e tij ndryshoi për të mirë në javët e fundit. Në tri paraqitjet e fundit me Beshiktashin turk, Rashica i kishte dy asistime e një gol vendimtar. 

Rashica po paraqitet mirë edhe në fazën përgatitore dhe gjasat që transferimi te Trabzonspori të realizohet janë gjithnjë e më të vogla.

“Milot Rashica, që nisi ta fitonte rastin në ekipin startues pas lëndimit të Cengiz Underit, mori aprovimin e stafit teknik me paraqitjet e tij në kampin stërvitor në Antalya”, shkruan të hënën “Fotomaç”. Ky medium i njohur në Turqi ka shkruar se Rashica është duartrokitur pas golave që i shënoi në ndeshjet stërvitore.

Mesfushorët kryesorë të Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, Leon Avdullahu, Florent Muslija e Veldin Hoxha nuk pritet të lëvizin në janar. Valon Berisha ka kohë që nuk po luan për LASK-un në Austri, ndërsa në katër ndeshjet e fundit as që ishte grumbulluar. Berisha, që te Kosova është rezervist, mund të kërkojë ndonjë opsion më të mirë. 

Muharrem Jashari, që është në Ukrainë te LNZ Cherkasy, shpreson për një lëvizje pozitive, për të rritur gjasat që në përfaqësuese të ketë më shumë minuta. 

Në mbrojtje po ashtu nuk priten lëvizje të mëdha, ndonëse Lumbardh Dellovës do t’i kryente shumë punë kalimi në ndonjë klub më të madh se ai bullgar CSK Sofia.

Me nivelin që ka arritur Kosova, ligat si ajo e Ukrainës dhe e Bullgarisë nuk është se ofrojnë garanci për vend startuesi. Për lojtarët, pos paraqitjet me përfaqësuese, peshë kanë edhe ligat e klubet ku aktivizohen.  

Prej portierëve, Visar Bekaj duhet të gjejë klubin e ri, kurse dy të parët, Arijanet Muriq e Amir Shaipi, pritet të qëndrojnë te skuadrat aktuale.

Shtabi teknik i udhëhequr nga Franco Foda mund të jetë i kënaqur me gjendjen e lojtarëve të Kosovës në skuadrat e tyre. E rëndësishme do të jetë që lojtarët të mos pësojnë lëndime serioze deri në mars, kur janë ndeshjet e plejofit për kualifikim në Botëror.