Futboll

Te Bieli kontestojnë penalltinë që “vendosi” finalen me Baselin

Biel vs Basel

Foto: Urs Lindt/freshfocus

Bieli i kategorisë së tretë zvicerane ka rivalizuar Baselin në finale të Kupës së Zvicrës, të dielën. Në fund, kampioni, Baseli, fitoi 4:1. 

Por te Bieli vlerësojnë se janë dëmtuar nga arbitri. Baseli kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 37-të falë një autogoli. Për 1:1 Bieli shënoi në minutën e 60-të. Shtatë minuta më pas Xherdan Shaqiri realizoi për 2:1 nga penalltia. Më pas Baseli i realizoi edhe dy gola të tjerë.

Por penalltia që u dha për ndërhyrje të portierit Raphael Radtke në Albian Ajetin po kontestohet fuqishëm.

Arbitri Stefan Horisberger dha penalltinë e dyshimtë në ndeshjen e tij të fundit në karrierë.

“Mendoj se Ajeti vrapoi drejt meje dhe nuk ishte e kundërta”, ka thënë portieri Radtke. “Do të ishte mirë sikur kjo skenë vendimtare të rishikohej në VAR. Është pak frustruese për ne. Ishte momenti që vendosi”.

Sipas tij, ndonjëherë ka vendime të gabuara me të cilat duhet të jetohet.

Presidenti i Bielit, Dietmar Faes, po ashtu ka vlerësuar se penalltia nuk ka ekzistuar. Edhe lojtarë të tjerë të Bielit janë deklaruar njëjtë.

Te Baseli kanë thënë se penalltia ka ekzistuar. 

“Portieri ka vrapuar drejt kundërshtarit. Nuk e ka goditur topin dhe ka goditur kundërshtarin. Mendoj se arbitri mori vendimin e duhur”, ka thënë kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri.