Futboll

Te Ballkani vlerësojnë Shamrockun, por besojnë në fitore

Ballkani

Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, dhe mbrojtësi Arbër Potoku kanë treguar anët e forta të Shamrock Roversit. Por, si trajneri Shehi ashtu edhe Potoku kanë theksuar se do të mundohen t’i shfrytëzojnë maksimalisht gabimet e kundërshtarit për ta fituar ndeshjen e parë që luhet të enjten, nga ora 20:30, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Ballkani e Shamrocku përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dueli kthyes luhet pas një jave.

“Për mendimin tim është një ndeshje mes dy rivalëve që kanë cilësinë dhe eksperiencën brenda. I vetmi dallim është se ata janë duke zhvilluar gara në ligë dhe kanë zhvilluar goxha ndeshje dhe ndoshta është në favorin e tyre që kanë një skuadër me lojtarë që luajnë për një kohë të gjatë së bashku, kurse Ballkani ka pasur tranzicion të madh, por që tani e kemi stabilizuar dhe presim duelin e nesërm”, ka thënë Shehi të mërkurën në konferencë për media.

Ballkani dy herë ishte në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Vjet ishte ndalur në rundin e tretë kualifikues, duke mos ia dalë të siguronte fazën e ligës, që e zëvendësoi atë grupore.

Suharekasve tani u duhet të kalojnë edhe dy kundërshtarë për të arritur suksesin e edicioneve 2022/2023 dhe 2023/2024.  

Shamrocku vjet e kaloi me sukses fazën e ligës në Konferencë, ndërsa u ndal nga Molde në plejofin e fazës nokaut.

“Është një takim me eliminimin që ka edhe një ndeshje kthimi dhe patjetër që ne do të mundohemi të bëjmë zotin e shtëpisë. Të luash në shtëpi duhet të jetë ajo egërsia dhe përqendrimi maksimal. Duhet t’i bëjmë gjërat mirë dhe me kujdes në kokë duke menduar edhe për ndeshjen e kthimit pasi nuk mbyllet asgjë nesër dhe mendoj se vlerësimi i situatës dhe përqendrimi në çdo moment të lojës është ajo që mund të na japë atë që kërkojmë, rezultatin pozitiv”, ka theksuar Shehi.

Trajneri Shehi kërkon nga lojtarët e tij të kenë kujdes të madh gjatë 90 minutave.

“Do të mundohemi të mos gabojmë, të përfitojmë nga gabimet e kundërshtarit ashtu si në Maltë. Unë mendoj se kush gabon apo kush përfiton nga gabimet del fitimtar”, ka thënë Shehi.

Edhe mbrojtësi Arbër Potoku thotë se Ballkani ka gjasat e tij ndaj Shamrockut.

“Fakti që jemi këtu ku jemi, besoj se edhe ne kemi gjasat tona. Kemi krijuar eksperiencë në këto gara, por edhe kundërshtari merr pjesë në gara evropiane. Vjet ka pasur suksesin më të madh apo historik të klubit duke kaluar grupin në Ligën e Konferencës. Do të jetë përballje e vështirë, duke ditur se janë në ritëm të kampionatit kurse ne kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje. Ne duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit vendës dhe qëllimi ynë është të vazhdojmë tutje”, ka thënë Potoku.

Ai vlerëson kundërshtarin irlandez.

Nëse e eliminon Shamrock Roversin, Ballkani do të përballet me Larnen e Irlandës së Veriut apo Santa Claran e Portugalisë në plejofin e Ligës së Konferencës.

Trajneri Stephen Bradley ka thënë se ka përcjellë shumë ndeshje të Ballkanit në kualifikimet e kupave evropiane. Dhe ka theksuar se suharekasit meritojnë respektin maksimal dhe këtë do ta kenë të enjten në përballjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Bradley lavdëroi ekipin e drejtuar nga trajneri Orges Shehi, duke thënë se ka disa lojtarë të mirë individualë dhe duhet pasur kujdes, por e synon avancimin tutje.

“E dimë se Ballkani ka luajtur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. E kam parë duke luajtur kundër Larnes së Irlandës së Veriut para disa vjetësh, ka fituar me rezultat të thellë. E dimë se në vitet e fundit kanë marrë respektin në Evropë dhe kjo është njëra prej arsyeve pse ata duhet të respektohen. Ju premtoj se Ballkani do ta ketë gjithë respektin që e meriton”, ka deklaruar të mërkurën në konferencën për shtyp trajneri Bradley.

Trajneri i Shamrockut ka thënë se për skuadrën e tij përballja kundër Ballkanit do të jetë sfiduese.

“I kemi shikuar disa ndeshje dhe e kemi kuptuar çfarë lloj skuadre është Ballkani. E dimë se i kanë disa lojtarë shumë të mirë, kanë edhe lojtarë shumë të mirë teknikë, por edhe shumë lojtarë të mirë në krah, që mund të luajnë në disa pozita. Qendërsulmuesi është shumë i mirë, jemi përballur me të më parë. Kemi luajtur ndaj disa prej lojtarëve të tyre më parë që kanë qenë pjesë e Celjes dhe Shkupit. I njohim disa prej lojtarëve tashmë dhe do të jetë ndeshje e vështirë”, deklaroi ai.

Shamrock Rovers është skuadra më e suksesshme irlandeze me 21 tituj e 25 trofe të Kupës. Në kualifikimet e kupave evropiane luan prej edicionit 1957-58, ndërsa ka luajtur në faza grupore të Ligës së Evropës dhe të Konferencës. Në edicionin e kaluar e kaloi fazën e ligës në Ligën e Konferencës duke përfunduar i 10-ti. U eliminua nga Molde në fazën nokaut. Trajneri i kësaj skuadre do të mbështetet edhe në mbrojtjen që nuk ka pësuar gol në katër ndeshjet e fundit.