Futboll

Tare: Te Milani kam ardhur me ide të qarta

Igli Tare

Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë një intervistë për Milan TV, ku ka theksuar se idetë e tij në drejtimin e klubit sportiv janë të qarta.

“Kam ardhur me ide të qarta. Jam shumë entuziast dhe dua ta reflektoj këtë gjë këtu. Dua të jem një shembull jo vetëm për futbollistët, por edhe për stafin teknik dhe po ashtu të bëj më të mirën time edhe në merkato. Futbollistët që vijnë te AC Milan duhet të kuptojnë që të veshësh këtë fanellë është një përgjegjësi e madhe. Gjithçka ndikon në rezultatin final, që përfshin atë që ndodh në fushë dhe vetë rezultatin në fund të ndeshjes”, tha Tare.

Ai ka treguar se në familjen e tij ka shumë adhurues të mëdhenj të AC Milanit. 

“Të gjithë xhaxhallarët e mi janë milanistë. Kështu që ka qenë gjithmonë një lidhje e fortë  Do të përpiqem të bëj gjithçka që ne të përsërisim në të ardhmen lavdinë e dikurshme, sepse ky klub ka një histori mbresëlënëse. Duhet të prezantojmë projektin tonë sa më shpejt, veçanërisht te tifozët që presin një reagim të fortë dhe në fakt, këtë duam edhe ne”, tha ai.

Tare u zyrtarizua pak ditë më parë si drejtor i ri sportiv i AC Milanit.