Suhareka ka shënuar fitore në elitën e futbollit të Kosovës pas pesë humbjeve e një barazimi.
Të mërkurën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, Suhareka fitoi 3:1 në udhëtim te skuadra e Feronikelit 74 dhe mban gjallë shpresat për mbetje në elitën e futbollit të Kosovës.
Me fitoren e arritur në Drenas, Suhareka tani ka 36 pikë pas 33 ndeshjeve të luajtura, katër më pak se Llapi që zë vendin e tetë, përkatësisht të barazhit. Llapi e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Deri në fund të Superligës së Kosovës kanë mbetur edhe tri xhiro.
Suhareka kaloi në epërsi me golin e Jakup Berishës në minutën e nëntë.
Për 2:0 realizoi Fitim Susuri në minutën e 29-të.
Në pjesën e dytë, Suhareka realizoi edhe një tjetër gol me Mevlan Zekën, në minutën e 57-të.
Zeka tani ka 17 gola në kampionat dhe është barazuar me Sunday Adetunjin, sulmuesin e Ballkanit.
Feronikeli 74 arriti që të shënojë me Adonis Qorrin në minutën e 73-të.
Nga minuta e 85-të te Suhareka me të kuq u përjashtua Steven Kodra.
Pavarësisht një lojtari më shumë në fushë, vendësit që në edicionin tjetër do të luajnë në Ligën e Parë, nuk arritën të shënonin më gola.
Në minutat e fundit Donat Hasanaj i Suharekës realizoi autogol, por pas rishikimit të situatës në VAR, goli u anulua për ndërhyrje të palejuar në mbrojtësin e krahut të djathtë.
