Futboll

Suedia pa Kulusevskin ndaj Kosovës, në dyshim edhe Isaku

Dejan Kulusevski - Alexander Isak

Selektori i Përfaqësueses së Suedisë në futboll, Jon Dahl Tomasson, ka pranuar një tjetër lajm të hidhur para ndeshjeve kualifikues të Kupës së Botës në shtator.

Klubi spanjoll i futbollit, Celta Vigo, njoftoi se Carl Starfelt është i lënduar.

Tashmë është bërë e ditur se sulmuesi i Tottehamit, Dejan Kulusevski, nuk do të paraqitet për Suedinë në dy ndeshjet kualifikuese për Botërorin, që vitin e ardhshëm mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Ai do t’i mungojë Suedisë për shkak të një lëndimi.

Suedia luan kundër Sllovenisë në Lubjanë më 5 shtator, kurse ndaj Kosovës në Prishtinë më 8 shtator.

“Përveç këtyre dy mungesave, sulmuesi Alexander Isak është duke bojkotuar Newcaslten, dhe qendërmbrojtësi Victor Nilsson Lindelof është pa klub pasi i përfundoi kontrata me Manchester Unitedin”, shkruan të enjten “aftonbladet.se”.

Victor Nilsson Lindelof është kapiten i Suedisë.

Për kapitenin Lindelof, Kulusevskin dhe Isakun ka folur vetë selektori Tomasson.

“Kam pasur shumë kontakte me Kulusevskin, por ai nuk do të jetë gati. Ai është i lënduar dhe po përpiqet të rikthehet. Po përparon, por është shumë herët për t’u kthyer në fushë. Është zhgënjyese, sepse do të na pëlqente ta kishim në ekip. Por futbolli kurrë nuk është perfekt”, ka thënë Tomasson.

Për kapitenin Lindelof ka thënë se në rrethana normale, është dashur të ishte me ekip. Por ai nuk ka konfirmuar se do të jetë pjesë e ekipit për ndeshjet e shtatorit.

“Është situatë e ngjashme si e Kulusevskit. Në një botë perfektë, ai do të ishte i gatshëm dhe do t’i luante të gjitha ndeshjet përgatitore. Por nuk është kështu. Këto janë gjëra me të cilat duhet të merremi dhe për këtë arsye jam shumë i lumtur të kujtoj ndeshjet e qershorit. Kishim disa fytyra të reja, por Suedia dukej si Suedia”, tha Tomasson.

Ai pret që Isaku të zgjidhë sa më shpejtë problemet me Newcastlen. Ai ka kërkuar largimin nga Newcastle, duke thënë se është në të mirën e të gjitha palëve. Ai ditë më parë akuzoi Newcastlen për thyerje të premtimit.

“Ka kohë deri te ndeshjet. Ai është profesionist dhe e di që është duke u stërvitur. Sigurisht që nuk është stërvitur me një ekip dhe nuk ka luajtur ndeshje. Le të presim dhe të shohim. Do të flasim mirë, unë dhe Alex, dhe shpresojmë që ai të kthehet së shpejti në stërvitjen e ekipit”, tha Tomasson për “Fotbollskanalen”.

Besfort Zeneli ishte pjesë e Suedisë në qershor. Luajti 11 minuta në fitoren 4:3 ndaj Algjerisë. Ai ka luajtur edhe ndaj Luksemburgut dhe Irlandës së Veriut.

Pritet të ftohet edhe për ndeshjet e shtatorit nga Suedia.

Para se t’i bashkohej Suedisë, Besfort Zeneli luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U21. Ai është vëllai i vogël i Arbër Zenelit.