Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Stinori i pabesueshëm i Potterit – nga shkarkimi në Kupë të Botës

POTTER

Pak trajnerë kanë përjetuar pika të larta dhe të ulëta brenda një edicioni si Graham Potter në këtë të fundit. Filloi me shkarkimin e tij nga klubi i Premier Leagues, West Ham United në shtator dhe do të përfundojë duke e udhëhequr Suedinë në Kupën e Botës në futboll, që fillon më 11 qershor.

Shkarkimi pas vetëm një fitoreje në pesë xhirot e para të Premier Leagues me West Hamin, u pasua shpejt me emërimin e Potterit si përzgjedhës i Suedisë. Kjo ndodhi në tetor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Çdo zhgënjim u zhduk në fund të marsit, kur goli i Viktor Gyokeresit ia siguroi Suedisë fitoren 3:2 ndaj Polonisë në finale të plejofit.

“Është e mahnitshme. Jam shumë mirënjohës. Jam shumë, shumë krenar, shumë i lumtur që jam këtu. Ndeshja kundër Polonisë ishte përvojë më e mirë që kam pasur ndonjëherë në futboll”, ka thënë Potter në një intervistë për “Reuters”.

Anglezi 50-vjeçar duket i relaksuar dhe komod. Por nuk ishte i tillë kur iu tregua dera te West Hami.

“Isha padyshim i zhgënjyer, sepse ndieja se pesë ndeshje ishin pak. Por këto gjëra ndodhin në futboll. Është ashtu si është, duhet të përballemi me këtë”, ka theksuar Potter.

Potteri e vlerësoi shumë interesante ofertën e papritur nga Suedia.

Dy javë pasi Potter u shkarkua nga West Hami, Suedia e shkarkoi përzgjedhësin, danezin Jon Dahl Tomasson, pas një serie dëshpëruese të rezultaeve në kualifikimet për Botëror. Suedia nisi me barazim 2:2 me Slloveninë. Më pas humbi nga Kosova në Prishtinë, nga Zvicra në shtëpi dhe sërish nga Kosova në Goteborg.

Dhe Tomasson u shkarkua, ndërsa Potteri e udhëhoqi Suedinë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese. Suedezët pësuan nga Zvicra dhe barazuan me Slloveninë.

Por suedezët kishin rast përmes Ligës së Kombeve që të paraqiten në plejof, ndonëse në kualifikimet e rregullta mbetën të fundit me vetëm dy pikë.

Potteri nuk kishte përvojë ndërkombëtare, por nisi punën.

“Duhet të jesh shumë i vëmendshëm se si e përdor kohën që ke në dispozicion. Në përfaqësuese nuk e ke kohën që e ke në klub. Ka të bëjë me atë se si i bën gjërat e thjeshta për t’ua bërë të qarta lojtarëve”, thotë Potter.

Kjo qasje dha rezultate. Suedia fitoi 3:1 ndaj Ukrainës në Valencia në gjysmëfinale të plejofit e më pas mposhti Poloninë në shtëpi.

Dhe mundësoi që stinori i trazuar i Potterit dhe fushata dëshpëruese e Suedisë në kualifikime të përfundonin me udhëtim të papritur në Kupën e Botës.

Potteri si trajner kishte punuar në Suedi tek Ostersundi, nga viti 2011 deri në vitin 2018. Më pas drejtoi skuadra në ishull si Swansea City, Brighton, Chelsea e West Ham.

Ai kishte njohuri për njerëzit dhe kulturën e futbollit në Suedi. Por qesh kur pyetet nëse e ka menduar veten si selektor i ardhshëm i Suedisë kur mori drejtimin e Ostersundit në vitin 2011 dhe skuadra ishte vetëm në kategorinë e katërt.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe do të përpiqem të bëj më të mirën për Suedinë”, thotë tekniku anglez.