Kevin de Bruynes iu bë një përshëndetje shumë emocionale në stadiumin “Etihad”, ku për herë të fundit luajti të martën mbrëma si lojtar i Manchester Cityt. Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, madje ka qarë në një moment. Largimin e yllit belg, Guardiola e quajti “ditë të trishtueshme”.
33-vjeçari do të mbahet në mend si legjendë e Manchester Cityt. Në nderim të tij do të ndërtohet një statujë në afërsi të stadiumit “Etihad”.
Kapiteni De Bruyne do të largohet këtë verë, ndërsa luajti si titullar në ndeshjen e fundit në shtëpi. City fitoi 3:1 ndaj Bournemouthit, por legjenda e Premier Leagues e la disi zbehtë ndeshjen e fundit në shtëpi. Humbi rast të artë në pjesën e parë, ndërsa u sakrifikua në pjesën e dytë pas përjashtimit të Mateo Kovaçiqit. Ishte një fund i trishtueshëm i një karriere plot shkëlqim.
VIDEO:
“Doja të luaja me kreativitet, doja të luaja me pasion. Doja të shijoja futbollin dhe shpresoja që të gjithë ta shijonin. Të gjithë në klub më kanë shtyrë fort që të jem versioni më i mirë i vetes dhe këta djem para meje më kanë bërë më të mirë se që kam qenë më parë”, ka thënë De Bruyne në fjalimin e tij pas ndeshjes.
“Është një nder që kam luajtur me këta djem. Kam bërë kaq shumë miq për gjithë jetën”, ka shtuar ikona e Cityt.
Bashkëpunimi dhjetëvjeçar solli sukses të paparë për Cityn. Lojtari që bëri vend në librat e historisë së klubit, mblodhi plot 16 medalje fituese gjatë kësaj periudhe.
Kur u dëgjua fishkëllima e fundit e gjyqtarit, asgjë nuk do ta prishte lamtumirën e tij të madhe. Lojtarët, stafi dhe tifozët e Cityt i bënë nderim mjeshtrit të mesfushës.
“Të gjithë e panë se sa shumë janë të lidhur njerëzit nga Manchester City me të dhe me familjen e tij dhe sa shumë dashuri ka. Titujt janë të bukur dhe të gjitha sukseset që i ka arritur ai, por kur largohesh pas dhjetë vjetësh me kaq shumë respekt dhe mirënjohje, nuk ka asgjë më të mirë se kjo. Unë jam pjesë e kësaj, klubi do të marrë vendimin, por është një ditë e trishtueshme dhe ai do të na mungojë, nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë trajneri Pep Guardiola.
Tekniku spanjoll vazhdoi duke thënë se “Kur Kevini arriti këtu jam i sigurt se nuk ishte tifoz i Manchester Cityt. Nuk e di kë e mbështet, por jam shumë i sigurt se është tifoz tani dhe do të jetë përgjithmonë. Kjo për shkak të lidhjes midis të gjithë njerëzve dhe atij”.
Çdo gjë kishte të bënte me De Bruynen të martën. Pamja e fytyrës së De Bruynes ishte kudo në stadium. Kishte shalle të stolisura me emrin e De Bruynes, njëjtë si fanellat e tifozëve. City njoftoi para ndeshjes se i kishte kushtuar një mozaik dhe kishte emëruar një rrugë në akademinë e klubit me emrin e De Bruynes. U punua edhe një mural i madh me pamjen e De Bruynes në lagjen veriore të Manchesterit.
Kishte thirrje “Kevin De Bruyne” gjatë ndeshjes, ndërsa sa herë që mesfushori kishte topin, pritej që ai të shënonte apo asistonte për herë të fundit në stadiumin e skuadrës.
Ishte një moment kur doli i vetëm përballë portës, por De Bruyne e çoi topin në traversë. 33-vjeçari vendosi duart në kokë, njëjtë si Rodri që po rikthehej pas tetë muajsh dhe tifozët e Cityt në tribuna.
“Është e tmerrshme”, tha De Bruyne për rastin e humbur. “Nuk ka justifikim. Djali im do të jetë shumë i ashpër ndaj meje sonte”.
Në fund të ndeshjes një video me momentet e tij më të mira gjatë dekadës së fundit u shfaq në ekranin e madh, me mesazhe nga lojtarët si Sergio Aguero, Vincent Kompany, Raheem Sterlin dhe Pablo Zabaleta.
De Bruynes iu bë një paradë nderi kur u kthye në fushë me gruan dhe fëmijët e tij pranë. Pastaj ishte momenti kur shpërthyen emocionet. Ish-lojtari i Chelseat u përpoq të mbante veten gjatë fjalimit në mes të fushës, ashtu si edhe Guardiola që qëndronte i përlotur në stol.
“Ne duam që të qëndrosh, Kevin De Bruyne, duam që të qëndrosh”, ishte brohoritja që dëgjohej nga tifozët. Por duket se nuk ka kthim pas. Ai udhëhoqi shokët e ekipit në një xhiro falënderimi përpara se të largohej për herë të fundit.