Futboll

Statistikat mbresëlënëse të Granit Xhakës në debutim

Granit Xhaka

Sunderlandi u kthye në Premier League me fitore të shtunën, ndërsa paraqitja e Granit Xhakës ishte mbresëlënëse. 

Pritshmëritë për Sunderlandin ishin të larta para ndeshjes së parë pas tetë vjetësh në elitën e futbollit anglez. 

Dhe me kapitenin Xhaka lider në mesfushë, Sunderlandi fitoi para shikuesve të vet me rezultatin 3:0 ndaj West Ham Unitedit. 

Xhaka ishte prej lojtarëve të transferuar në këtë afat kalimtar veror te Sunderlandi, dhe bëri bujë. Ai u transferua nga Bayer Leverkuseni për 15 milionë euro dhe menjëherë iu dha shiriti i kapitenit. 

32-vjeçari e shpagoi besimin në fushën e lojës të shtunën. E shfaqi saktësisht atë që e kishte bërë vite më parë tek Arsenali, por edhe te Leverkuseni së fundmi. 

Kishte statistika të jashtëzakonshme. 

Asnjë lojtar i Sunderlandit nuk e preku topin më shumë se Xhaka, që pati 63 kontakte me topin të shtunën. Futbollisti me më së shumti paraqitje te Zvicra, i krijoi edhe dy shanse për gol, kompletoi 38 pasime dhe bëri tetë pasime drejt fazës së sulmit. 

Xhaka ishte i pranishëm thuajse në çdo pjesë të fushës në “Stadium of Light”, duke vrapuar 11.2 kilometra, i dyti në këtë statistikë pas bashkëlojtarit, Rinildo. 

75 për qind e distancës së mbuluar nga Xhaka ishte në shpejtës. Nga 12-të duele sa i pati, i fitoi pesë, ndërsa ishte aktiv me fitime të topit, bllokime, largime të rrezikut dhe lexim të lojës së kundërshtarit. 
Të gjitha këto aspekte të lojës së Xhakës krijuan presion te West Ham Unitedi. Ndërkohë, Sunderlandi golat e fitores së shënuar nga Eliezer Mayenda, Dan Ballard dhe Wilson Isidor, i realizoi prej minutës së 60-të. 

“Çfarë nisje, çfarë mikpritje, çfarë atmosfere!”, shkroi Xhaka në rrjetet sociale pas triumfit të shtunën në kthimin e tij në Premier League. 

Xhaka te Sunderlandi i ka kaluar vetëm disa javë dhe ishte njëri prej shtatë debutuesve të shtunën në ndeshje zyrtare – që është rekord për klubin, ka shkruar “footballinsider247”. 

Brenda në fushë, është e qartë se ai menjëherë ka pasur ndikim te skuadra e re.

Ai ka dhënë shembull edhe për udhëheqjen e klubit jashtë fushës. Është sinjal i qartë edhe për trajnerin Regis Le Bris, që ka folur pikërisht për rolin e tij si kapiten. 

“Po kënaqemi fillimisht”, ka thënë Le Bris. “Së dyti, Graniti foli për bashkimin e skuadrës, për mënyrën se si vuajtjet së bashku do të ishin çelësi i suksesit këtë sezon. Të qëndrojmë kokulur dhe të kthehemi sërish”. 

Sunderlandi do të mundohet që ta përsëritë të njëjtin sukses kur në xhiron e ardhshme të udhëtojnë te skuadra tjetër e promovuar sivjet në Premier League, Burnley. Më pas, Sunderlandi luan në shtëpi ndaj Huddersfield Town, në raundin e dytë të Kupës EFL.