Trajneri Luciano Spalletti më në fund ia dha Edon Zhegrovës mundësinë për t’u paraqitur për herë të parë nga minuta e parë me fanellën e Juventusit.
Futbollisti i Kosovës, Zhegrova, luftoi për të gjetur hapësirë dhe për të lënë gjurmë në ndeshjen kundër Pafosit në Ligën e Kampionëve të mërkurën.
Por Zhegrova pati vështirësi në paraqitjen e tij të parë si titullar me fanellën e Juventusit.
Trajneri Spalletti e mbrojti paraqitjen e sulmuesit të krahut dhe vlerësoi se nuk mori ndihmën e nevojshme nga shokët e tij të ekipit në krahun e djathtë, përkatësisht Weston Mc Kennie dhe Pierre Kalulu.
“Kur na detyruan të luanim në të majtë, ai ishte i angazhuar të mbrohej një kundër një, por ai është thjesht ofensiv. Sipas mendimit tim, Edoni luajti shumë mirë në pjesën e parë. Megjithatë, ai ka nevojë të përmirësojë aspektin fizik”, ka thënë Spalletti në konferencën për media pas ndeshjes, të cilën Juventusi e fitoi 2:0 ndaj Pafosit.
Juventusi i realizoi golat pas minutës së 60-të, përkatësisht në minutën e 67-të dhe 73-të. Zhegrova nga fusha u largua pas përfundimit të pjesës së parë. Por Spalletti insiston se Kalulu dhe McKennie nuk e kanë ndihmuar Zhegrovën në pjesën e parë.
“Ata nuk e ndihmuan në pjesën e parë. Kalulu dhe McKennie ishin shumë lart në fushë dhe po ia mbytnin zonën, duke e bllokuar atë. Tani ai ka 45 minuta në këmbë, kështu që duhet vazhduar. Ai mund të fillojë ndeshjet ose të paraqitet nga fillimi i pjesës së dytë. Mund të marrim vendime të ndryshme. Ai mund të tregojë cilësitë e tij të jashtëzakonshme, pastaj do të shohim”, është shprehur Spalletti.
Ish-trajneri Fabio Capello e ka cilësuar të gabuar vendimin për ta aktivizuar nga fillimi Edon Zhegrovën.
“Është një gjë e çuditshme. Unë gjithmonë i kam vendosur lojtarët që janë në formën më të mirë që nga fillimi, jo ata që e di se nuk do të luajnë për 90 minuta. Ne e pranojmë vendimin e Spallettit, por mendoj se kur ritmi bie në pjesën e dytë, ata që nuk janë në formën e tyre më të mirë mund të kenë një ndikim më të madh”, është shprehur Capello për “Sky”.
Për Zhegrovën ka folur edhe legjenda e Italisë, Alessandro Costacurta.

