Futboll

Skuadrat e mëdha presin fitoret e radhës

Bayern

Foto: Associated Press

Bayern Muncheni i ka pesë fitore në Ligën e Kampionëve, ndërsa të gjashtën e synon të mërkurën mbrëma. Gjiganti bavarez e pret skuadrën belge, Royale Union nga ora 21:00. Ndeshja i takon xhiros së shtatë, përkatësisht të parafundit të fazës së ligës në Champions.

Kampioni gjerman është lartë në tabelë, ndërsa synon fitore për të siguruar vendin në fazën e një të tetës së finales. 

Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, megjithatë e vlerëson skuadrën belge.

“Në ligë, kjo skuadër dëshiron të dominojë dhe ta ketë topin. Por i përshtatet më shumë roli i autsajderes kur është në Champions. Unioni ka ofruar momente heroike, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Kompany të martën në konferencë për shtyp. 

Ai ka pranuar se synimi primar është të avancohet nga faza e ligës në një të tetën e finales.
Të mërkurën luajnë edhe skuadra të tjera të mëdha evropiane, por nuk ka ndonjë përballje mes tyre. 
Barcelona nuk pret të ketë telashe ndaj Slavia Pragës në Çeki. Barça pësoi në fundjavë, por ka pasur ecuri të mahnitshme deri të dielën. Ka pak gjasa që Slavia Praga t’ia pamundësojë Barçës kthimin te suksesi.

Ndeshja interesante pritet të jetë ajo që luhet në Francë në mes të Marseillet dhe Liverpoolit. Skuadra angleze vlerësohet favorite, por edhe Marseille ka planet e veta. 
Juventus – Benfica është tjetër ndeshje interesante e së mërkurës. Edon Zhegrova shpreson të ketë minuta, por nuk pritet të startojë te Juve.

Trajner i Benficas është Jose Mourinho, që e njeh shumë mirë futbollin italian.

“Është një tjetër finale. Kur shkuam tek Ajaxi dhe fituam 2:0, e kemi ditur se është vendimtare. Kur e kemi pritur Napolin dhe kemi fituar 2:0, e kemi ditur se do të jetë vendimtare. Dhe tani jemi në prag të dy ndeshjeve të fundit dhe nuk e dimë edhe sa pikë na duhen”, ka thënë Mourinho.

Benfica portugeze i ka vetëm gjashtë pikë dhe është në lojë për avancim në plejofin e fazës nokaut. Juventusi i ka nëntë pikë.

“Kur luani ndaj skuadrave si Benfica, ju përballeni me një pjesë të historisë, me identitet. Ekipet portugeze të marrin në ritmin e tyre dhe nëse nuk je i vëmendshëm ju mbeteni në të. Pres që lojtarët tanë të jenë gati”, ka thënë trajneri i Juves, Luciano Spalletti.

Chelsea – Pafos, Newcastle –PSV dhe Atalanta – Athletic Bilbao janë ndeshjet e tjera të orës 21:00. Prej orës 18:45 janë takimet Galatasaray – Atletico Madrid dhe Qarabag – Eintracht Frankfurt.