Pajtim Kasami iu bashkua Sionit nga Sampdoria në janar. Por mesfushori shqiptar largohet pas vetëm gjashtë muajsh nga Sioni.
Të mërkurën, Sioni ka njoftuar se ka shkëputur kontratën me Kasamin. Në njoftimin e klubit bëhet e ditur se shkëputja e kontratës është bërë me marrëveshje të dyanshme. “FC Sion dhe Pajtim Kasami kanë rënë dakord të ndërpresin kontratën e tyre.
Ky vendim u mor me marrëveshje të ndërsjellë, duke u lejuar të dyja palëve të ndjekin rrugët e tyre përkatëse në rrethanat më të mira të mundshme. Klubi dëshiron ta falënderojë Pajtimin për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij gjatë gjithë kohës me skuadrën e Sionit. FC Sion i uron atij çdo sukses për pjesën tjetër të karrierës së tij sportive”, shkruan në njoftimin e klubit elitar të Zvicrës.
Kasami 33-vjeçar më herët ka luajtur për Bellinzonan, Palermon, Fulhamin, Luzernin, Olympiacosin, Nottingham Forestin, Baselin e Sampdorian. Për Zvicrën ka shënuar dy gola në 12 paraqitje.