Futboll

Shqipëria U17 nuk shënoi asnjë gol në Evropian, sulmuesi i Juves kritikon trajnerin

Arman Durmishi

Arman Durmishi

Paraqitja e zbehtë e Shqipërisë U17 në Kampionatin Evropian të futbollit po përjetohet edhe më rëndë pas deklaratës së lojtarit 17-vjeçar që është pjesë e Juventusit. Shqipëria U17 e mbylli pa asnjë gol të shënuar Evropianin për futbollistët deri në 17 vjet, që po mbahet pikërisht në Shqipëri. I humbi tri ndeshjet me rezultat 4:0. Kuqezinjtë pranuan plot 12 gola dhe nuk realizuan asnjë.

Por sipas futbollistit Arman Durmishi, fajtor për humbjet e thella nga Franca, Portugalia dhe Gjermani është trajneri italian, Andrea Tedesco. Durmishi tha se Shqipëria U17 ka lojtarë cilësorë, por jo edhe trajner. Sipas tij, Tedesco “nuk di se çfarë të bëjë me këta lojtarë të fortë”.

Durmishi luan si sulmues dhe nuk arriti të shënojë asnjë gol për Shqipërinë U17 në Evropianin në Shqipëri.

“Evropiani ishte shumë i bukur, luajtëm me ekipet e forta. Edhe ne jemi lojtarë të fortë, por kur kemi trajnerin që nuk di se çfarë të bëjë me këta lojtarë të fortë, është më e vështirë. Nuk mund të luash dot për të fituar, me këta lojtarë që kemi na duhet trajner më i fortë”, tha Durmishi për “RTSH” pas disfatës që Shqipëria e pësoi të hënën nga Franca në “Elbasan Arena”.

Deklarata e Durmishit u përcoll me reagime të shumta në Shqipëri. Shumë prej reagimeve ishin me kritika për Durmishin.

Tedesco mori drejtimin e Shqipërisë U17 më 20 korrik të vitit 2024. Ka kontratë deri në korrik të këtij viti. Më herët italiani ka punuar te të rinjtë e Napolit, ndërsa ka qenë edhe trajner i Maltës U19. 40-vjeçari nga 12 ndeshje sa e ka drejtuar Shqipërinë U17, ka katër fitore, një barazim dhe shtatë humbje.

Në Evropianin për futbollistët deri në 17 vjet, Shqipëria ishte në Grupin A. Franca dhe Portugalia u kualifikuan në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale nga Grupi B u kualifikuan Italia si e para me nëntë pikë dhe Belgjika me katër pikë. Katër pikë i kishte edhe Anglia, por belgët kaluan tutje falë goldallimit më të mirë. Italia do të përballet me Portugalinë, kurse Franca luan kundër Belgjikës. Gjysmëfinalet zhvillohen të enjten në Elbasan e Tiranë.