Futboll

Shqipëria U17 e mbyll Evropianin pa gol të shënuar

Shqipëria U17

Futbollistët e Shqipërisë U17 e kanë mbyllur pa asnjë gol të shënuar Evropianin që e organizon vetë.

Shqipëria të dielën mbrëma e humbi edhe ndeshjen e tretë. Në “Elbasan Arena”, Shqipëria U17 humbi nga Franca U17 me rezultat, 4:0.

Golat për francezët i shënuan Hermann Diandaga (33’), Djibril Coulibaly (51’) dhe Djyilan N’Guessan (66’, 79’).

Në Evropianin për futbollistët deri në 17 vjet, krahas Francës, Shqipëria në Grupin A luajti edhe kundër Portugalisë dhe Gjermanisë. Edhe ndaj gjermanëve dhe portugezëve, Shqipëria humbi me rezultat 4:0.

Shqipëria pranoi 12 gola në të tria ndeshjet.

Franca dhe Portugalia u kualifikuan në gjysmëfinale. Portugalia mposhti po të dielën Gjermaninë 2:1.

Gjysmëfinalet zhvillohen të enjten e 29 majit në Elbasan e Tiranë. Finalja është më 1 qershor në Tiranë.